Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq që ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit të dakorduar në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Gjatë një telefonate me Vuçiqin të hënën, Scholz ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Kancelari theksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për të. Ai gjithashtu sqaroi angazhimet e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Berlinit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se ata ranë dakord të vazhdojnë diskutimet dhe të qëndrojnë në kontakt.
Ndërsa, Vuçiq ka thënë se e ka njoftuar Scholzin për “situatën e patolerueshme” të serbëve në Kosovë, dhe ka akuzuar Prishtinën për shmangien e vazhdueshme në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.