​Serbët nisin konvertimin e patentë-shoferëve ilegal në ato RKS

Aktuale

​Serbët nisin konvertimin e patentë-shoferëve ilegal në ato RKS

Më: 10 maj 2024 Në ora: 17:23

Sot ka nisur zbatimi i vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për konvertimin e patentë-shoferëve të strukturave ilegale serbe në patentë-shoferë të lëshuar nga shteti i Republikës së Kosovës. Deri më tash kanë aplikuar 29 persona dhe ky numër sipas zyrtarëve pritet të rritet ditëve në vijim.

Vendimi për konvertimin e patentë-shoferëve po konsiderohet i drejtë dhe i qëlluar nga ekspertë të sigurisë dhe komunikacionit. Shefi ekzekutiv në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, përmes telefonit për KP, bëri të ditur se sot kanë aplikuar 29 qytetarë për konvertimin e patentë shoferit.

Camaj: Sot aplikuan 29 persona për konvertim të patentë-shoferëve

"Sot në tërë territorin e Republikës së Kosovës kanë aplikuar për konvertimin apo ndërrimin patentë-shoferëve nga strukturat ilegale në patentë-shoferë të Republikës së Kosovës 29 qytetarë... Sigurisht, ditëve në vijim do të ketë rritje, sepse sipas informacioneve që i kemi nga zyrtarët tanë atje, qytetarët serbë që i kanë regjistruar automjetet janë shumë të interesuar që t’i përkthejnë patentë shoferët", thotë Camaj.

Profesori i sigurisë, Avni Islami potencon se qytetarët serbë duhet t’i përgjigjen pozitivisht këtij vendimi, derisa shton se patentë-shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë duhet të konfiskohen.

Islami: Vendimi i MPB-së për konvertimin e patentë-shoferëve i qëlluar

"Vendimi nga ana Qeverisë së Kosovës për konvertimin e patentë-shoferëve, të cilët janë lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë tashmë është një vendim shumë i qëlluar, për shkak se më herët, automjetet me targa ilegale janë konvertuar pa problem në tabela të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe natyrisht tash pasi automjetet kanë tabela vendore, ato që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme tash hapi tjetër i drejt është që të lëshohen edhe patentë shoferët dhe unë nuk shoh problem që patentë-shoferët, të cilët janë lëshuar nga institucionet ilegale të konvertohen dhe të jenë të vlefshme, pra të lëshohen nga institucionet e Republikës së Kosovës...Do të duhej të përgjigjen për shkak se patentë-shoferë, të cilët janë lëshuar nga strukturat ilegale të Serbisë pas një periudhe të caktuar, duhet të konfiskohen sepse nuk janë më legjitime. Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të drejtë dhe u ka lënë kohë të mjaftueshme që patentë-shoferët të konvertohen në patentë që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme", tha Islami.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se qytetarët serbë për konvertimin e patentë-shoferëve nuk duhet të lirohen nga pagesa sikurse në rastin e ndërrimit të targave, por edhe at duhet të paguajnë sikurse çdo qytetar tjetër i Kosovës.

Ahmeti: Serbët duhet të kenë patentë-shoferët e lëshuar nga Kosova

"Pasi jetojnë brenda Republikës së Kosovës patjetër duhet ta kenë patentë- shoferin e Republikës së Kosovës... Patjetër duhet të pajisen me patentë-shoferë të Republikës së Kosovës... Jo, nuk kisha menduar ashtu, sepse të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë njësoj. Ka qenë në të kaluarën një 20 euro aplikimi, tash nuk e di sa është. Gjithmonë serbët janë ndikuar prej qeverisë së Beogradit për shumë arsye, prej kësaj nuk mund të shpëtojnë, sepse me një formë apo tjetrën, qytetarët që jetojnë sidomos në veri të Mitrovicës e njohin Republikën e Kosovës me marrjen e dokumentacionit, ashtu mendojnë ata dhe ishte dashur që qeveria të jetë e prerë në këtë rast... Jo, absolut, pse pa pagesë? Ata nuk po paguajnë rrymë tani, as marrjen e dokumentacionit. Në një farë mënyrë qytetarët serbë janë të favorizuar", thekson Ahmeti.

Ndryshe, të gjithë qytetarët serbë që posedojnë patentë-shoferi të lëshuar nga strukturat ilegale serbe mund të aplikojnë për patentë-shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës në ueb faqen Patentë shoferët (rks-gov.net) apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës. Ky proces do të zgjasë deri më 9 gusht të këtij vit.

Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në tërë territorin e Kosovës.

Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është 20 euro, për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është 50 euro. Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është 15.00 euro dhe origjinalin e patentë-shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Procedura për pajisje me patentë-shoferi të Kosovës zgjat 15 ditë. Patentë-shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat