Drejtori i Policisë përballet me akuza nga opozita, VV-ja e mbron

Aktuale

Drejtori i Policisë përballet me akuza nga opozita, VV-ja e mbron

Më: 10 maj 2024 Në ora: 11:40
Foto nga vendngjarja

Me akuza e kundërakuza është përcjellë raportimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan informacione rreth transferimeve e ndryshimeve që janë bërë në njësinë e veçantë të hetimeve.

Derisa nga opozita ngritën akuza se këto lëvizje janë bërë për t’i fshehur “aferat korruptive”, por nga Policia e Kosovës u mohuan këto pretendime, shkruan eo.

“Me shkarkimin e Shemsi Hazirit në krye të njësisë së veçantë të hetimeve erdhi Besim Berisha. Me ardhjen në krye të shefit të ri, në njësinë e veçantë të hetimeve nis një fushatë presioni. Në emër të strukturimit në njësi filloi një fushatë kundër atyre që po hetojnë aferat e qeverisë. Kemi rastin e Martin Berishaj e Nagip Krasniqit, disa janë në burg disa të akuzuar. Hetuesit janë duke u zhvendosur janë duke ardhur të tjerë. Kjo është e vërtetë. Unë nuk jam duke e akuzuar askënd. Veç le të thotë drejtori për ndonjërën që nuk është ashtu”, tha kryesuesi i komosionit, Bekë Berisha.

Por akuzat i mohoi i pari i policisë, Gazmend Hoxha.

“Nga cilësia e drejtorit ju njoftoj se nga kjo njësi nuk ka pasur largime apo transferime përveç major Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave. Unë ju garantoj me gjithë autoritetin tim që katër lëvizjet që janë bërë, janë bërë me kërkesën e policëve. Nuk kanë pasur presion. Ju garantoj se shumica e kërkesave ka qenë për nevoja të tyre personale. Kjo njësi dikur ka pasur një shtesë prej 300 eurove e cila është ndaluar pastaj. Ndoshta edhe kjo është një prej çështjeve se pse policët kërkojnë të largohen nga njësia”, tha Hoxha.

Reagime pati edhe nga anëtarë tjerë të komisionit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të komisionit, Bekë Berisha për keqpërdorim të pozitës së kryetarit.

“E shfrytëzove postin e kryetarit të komisionit, por asesi nuk është në rregull që të keqpërdoret pozicioni i kryetarit e komisioni ta humb komplet rolin për çka jemi. Nuk po e di tash momentalisht a jemi në gjykatë, gjyqtarë nuk po shoh këtu. E para herë që po ndodh në këtë Kuvend kur thirret një institucion kaq i lartë i drejtorit të policisë dhe i bëhen këso akuza direkte, të cilat nuk e di edhe prokurori a është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Dugolli.

Ai ka kërkuar që të kursehet drejtori i policisë nga akuzat.

“Nuk është detyrë e komisionit të lëshohet në këtë nivel, e kam mirëpritur kërkesën për drejtorin. Ka pasur prononcime nëpër media publike ku janë potencuar emrat që i përmende ti këtu, e të cilët në pamundësi ta shfrytëzojnë të drejtën për me paditë sepse këtu ka akuza të rënda që më vjen keq që iu ka potencuar emri i tyre. Iu bëj thirrje që le t’i shohin nëpër media dhe t’i padisin. Është cenuar integriteti i tyre. T’iu kallëxojmë drejtorit si të vlerësohen policët. U leshu akuza që po vlerësohen dobët, po vlerësohen me nota të larta. Na e murëm rolin e drejtorit”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat