Kryeziu: Raporti i DASH-it dhe i Freedom House kanë përmirësim dhe dallime krahasuar me vitet e kaluara

Aktuale

Kryeziu: Raporti i DASH-it dhe i Freedom House kanë përmirësim dhe dallime krahasuar me vitet e kaluara

Më: 27 prill 2024 Në ora: 11:52
Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe organizatës ndërkombëtare Freedom House kanë dallim dhe përmirësim nga vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018.

Kryeziu thotë se sa i përket vitit të kaluar, në dy raportet mund të vërehet përmirësim e progres në drejtim të luftimit dhe korrupsionit.

“Në raportet e DASh-it në vitet e mëparshme, për përshkrimin e korrupsionit në qeveri përdoreshin shprehje si “korrupsion endemik” (këtë e gjeni në raportet për vitet 2016, 2017 e 2018) dhe “korrupsion i përhapur” (në raportin e vitit 2014), që tregojnë një shkallë të lartë të korrupsionit qeveritar. Shprehje si këto nuk i gjeni në raportin e këtij viti dhe atij të kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha se raportin e fundit është theksuar se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar e ndëshkuar zyrtarë që mund të kenë kryer abuzime apo keqpërdorime

“Në vitin 2018, organizata Freedom House përdorte shprehjen “i shfrenuar” kur flet për korrupsionin. Njësoj e përshkruan situatën edhe për vitin 2018, 2017 e 2016. Përsëri shprehje të tilla nuk i gjeni në raportin e kësaj organizate për vitin e kaluar. Madje aty theksohet se përkundër trashëgimisë, ka një brez të ri politikanësh të vullnetshëm për t’u përballur me praktikat e korruptuara nëpërmjet reformave gjyqësore dhe administrative. Pra ka dallim, ka përmirësim”, ka shkruar ai mes tjerash.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, hapi i radhës për luftim efektiv të korrupsionit është krijimi i një sistemi të drejtësisë që siguron ndëshkueshmëri ndaj veprave korruptive. Sipas tij, kjo arrihet përmes vettingut në drejtësi.

“Luftimi i korrupsionit, sidomos në institucione, duhet të jetë synim i përbashkët. Sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit mbeten çështje qëndrore të angazhimit tonë. Janë beteja tona të vazhdueshme”.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i çuditur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias.

Ai tha se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon, duke shtuar se nëse shikohet raporti i vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm.

“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat