Tensione të larta në Kuvendin e Kosovës: Opozita braktis seancën në protestë kundër trajtimit të raportit të DASH-it nga mazhoranca

Aktuale

Tensione të larta në Kuvendin e Kosovës: Opozita braktis seancën në protestë kundër trajtimit të raportit të DASH-it nga mazhoranca

Nga: Bota sot Më: 25 prill 2024 Në ora: 08:25 Përditësuar në ora: 11:12 më 25.04.2024
Kuvendi i Kosovës

Edhe LDK dhe AAK kërkojnë debat

Opozita në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës po kërkon që të diskutohet për raportet ndërkombëtare, atë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe atë të FreedomHouse, për të cilat thotë se të dyja godasin korrupsionin qeveritar në Kosovë.

Shefat e grupeve parlamentare të tri partive, LDK, AAK, PDK thonë se sot nuk ka asgjë më të rëndësishme për të diskutuar, veçse raportet.

Ndërkohë, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari Lila kërkoi që diskutimin ta lënë për ndonjë seancë tjetër.

Ajo thotë se në agjendë janë marrëveshjet ndërkombëtare dhe se duhet respektuar ajo.

Replikat mes deputetëve janë duke vazhduar.

Nis seanca, PDK kërkon debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASH-it

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar në emër të partistë një debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it.

Siç tha ai, DASh ka prezantuar një raport që sipas tij, ka të gjetura shqetësuese.

“Kërkojmë nga seanca që të plotësohet rendi i ditës me mocion nëpërmjet së cilës të plotësohet me debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it. DASh ka prezantuar një raport që ka të gjetura shqetësuese për qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Një përshkrim ku tashmë kemi një korrupsion serioz, ku përshkruhet edhe numri i saktë i ministrave që janë të përfshirë në afera korruptive. Kjo është çështje e rëndësishme dhe duhet ta trajtojmë këtë raport në kuadër të kësaj seance”, tha Tahiri.

Mblidhet Kuvendi i Kosovës, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”.

Pika tjera të seancës janë:

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës përshfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin eqëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”, votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik, votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L- për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”.

Po ashtu Kuvendi do të bëjë shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore, shqyrtimin e Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022 dhe emërimin e një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat