Gazetari britanik që raportoi për luftën në Kosovë rrëfen për masakrën e familjes Deliu

Aktuale

Gazetari britanik që raportoi për luftën në Kosovë rrëfen për masakrën e familjes Deliu

Më: 23 prill 2024 Në ora: 21:34
Julius Strauss

Gazetari britanik, Julius Strauss i cili raportoi përgjatë luftës në Kosovë, në një rrëfim ekskluziv për Tëvë1,  tha se masakra në Abri të Drenasit, ishte masakra më e madhe që ai kishte mbuluar gjatë punës së tij si gazetar.

Strauss tha se në atë masakër kishte parë trupa të varrosur të 23 shqiptarëve  në mesin e tyre gra dhe fëmijë shumë të vegjël.

“Kam mbuluar disa masakra e në Abri ishte e para e madhe që mbulova. Nuk isha aty kur ndodhi e as menjëherë pasi kishte ndodhur, kolegu im Vaughn Smith ishte aty. Unë arrita vetëm disa ditë më vonë,  pastaj takova Ymer Deliun, i cili ishte xhaxhai i një djali të vogël, Besnikut i cili ishte i mbijetuari më i vjetër i masakrës dhe s’di të them “i magjepsur” nuk është  fjala e duhur, por disi isha ndihesha që kjo ngjarje duhej të mbulohej, të përcillej. Po punoja me Lemanin, që ishte përkteyesi im, ishim ekip i shkëlqyeshëm. Ymeri na dërgoi te vendi ku kishte varrosur trupat e Masakrës së Abrisë, 23 viktima. Dhe kur ishim aty, ishte një pamje  shumë depresive, shumë e pikëlluar  varret e shumë grave dhe fëmijëve, disa fëmijë shumë, shumë të rinj. Derisa ne ishim aty, serbët ishin ende të vendosur në Likoc, vetëm 1-2 km larg dhe së pari filluan të shtinë mbi neve, e pastaj të granatonin vendin. Mendoj që kjo më inatosi shumë, ndonëse isha i inatosur më parë, por kjo më irritoi me të madhe”, rrëfeu gazetari Strauss në Tëvë1.

Më tej, ai theksoi se pavarësisht që përgjatë asaj periudhe ai punonte për Daily Telegraph, ai po atë ditë me t’u kthyer në Prishtinë ishte inkuadruar në lajmet e drekës në BBC-i ku kishte raportuar githë ngjarjen se çfarë po ndodhte në Abri të Drenasit.

“Atë ditë u ktheva në Prishtinë dhe më kujtohet që u kyça drejtpërdrejtë në lajmet e drekës të BBC-së. Nuk punoja për BBC-në atëherë, punoja për Daily Telegraph, por u inkuadrova në lajmet e drekës dhe raportova çfarë po ndodhte. Pastaj ruajta lidhjen me atë familje  me muaj, kthehesha te ta rregullisht. Pjesë e kësaj lidhjeje ishte deri diku motivim gazetaresk e një pjesë u bë një lidhje humanitare pothuajse një miqësi “, shtoi gazetari britanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat