Ish-komandanti i FSK-së: Thaçi s’ishte konsultuar me mua për ndalesën e FSK-së në veri – marrëveshja duhet shfuqizuar

Aktuale

Ish-komandanti i FSK-së: Thaçi s’ishte konsultuar me mua për ndalesën e FSK-së në veri – marrëveshja duhet shfuqizuar

Më: 19 prill 2024 Në ora: 14:59
Kadri Kastrati

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka folur për marrëveshjen e ish-presidentit Hashim Thaçi të bërë 11 vjet me parë me NATO-n, ku FSK-së i ndalohet shkuarja në veri pa lejen e KFOR-it.

Kastrati tha se ky ishte një veprim i ngutshëm i Thaçit dhe se për këtë, ai tha se Thaçi nuk ishte konsultuar me të në atë kohë.

“Me mua nuk është konsultuar në atë kohë, por ai si kryeministër e ka pasur  të drejtën ta bëjë këtë. Mua më ka njoftuar si komandant që është marrë një vendim dhe është nënshkruar me sekretarin e NATO-s në atë kohë”, tha ai në “Kosova Today”.

Tutje, Kastrati tha se tani duhet që Ushtria e Kosovës ta largojë atë marrëveshje dhe sipas tij, duhet marrëveshje e re me NATO-n, pasi veriu është pjesë e territorit të Kosovës.

“Duhet të arrihet një marrëveshje e re me NATO-n, pasi veriu është pjesë e territorit të Kosovës dhe Ushtria e Kosovës është ushtri multientike dhe për këtë arsye mendoj se ushtrisë sonë s’duhet t’i ndalohet ndonjë pjesë e territorit që të veprojë. NATO bashkë me institucionet e Kosovës duhet të bisedojnë që ajo marrëveshje të shfuqizohet dhe Kosova të ketë të drejtë që ta dërgojë ushtrinë e saj aty ku ka nevojë”, tha ai.

Kastrati më tej tha se në rast të ndonjë konflikti të mundshëm, marrëveshja me NATO-n nuk do të vlente më, pasi sipas tij, misioni i Ushtrisë së Kosovës është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat