Kurti alarmon për ushtrimet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën dhe i jep “goditjen” Serbisë për zgjedhjet në veri

Aktuale

Kurti alarmon për ushtrimet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën dhe i jep “goditjen” Serbisë për zgjedhjet në veri

Më: 19 prill 2024 Në ora: 11:20 Përditësuar në ora: 11:18 më 19.04.2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Largimi i kryetarëve në komunat veriore duhet të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo të largohen me banda kriminale e fashiste

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se largimi i kryetarëve në komunat veriore duhet të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo që ata të largohen me banda kriminale e fashiste që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe policinë.

Ai ka thënë se si qeveri kanë vullnet që të mbahet ky votim dhe se do ta zbatojnë në plotni rezultatin e tyre.

“Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda kriminale e fashiste që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe policinë. Me zgjedhje hyhet në zyre. Nuk hyhet në zyre me bomba, granata dhe me armë të tjera që janë sulmuar personeli i sigurisë dhe gazetarët. Për çështjen e zgjedhjeve të cilat do të mbahen në katër komunat veriore të vendit, më 21 prill, pra të dielën e kësaj jave prin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës është në shërbim të tyre. Nga ana jonë është vullneti që të mbahet ky votim dhe në komunat të cilat 50+1 për qind e qytetarëve do të votojnë për ta ndërprerë mandatin kryetarëve të komunave ne do të jemi garancion që kjo do të zbatohet në plotni dhe me shpejtësi. Dhe me pas le ti kemi zgjedhjet ku do ti ndërrojmë këta kryetarë të komunave”, tha ai.

Kurti: Ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrime ushtarake

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrimin kryesor të tyre ushtarak.

Ai ka thënë se ata janë duke bërë ushtrime me dronë luftarak kamikaz.

Ai ka thënë se këto ushtrime janë duke u zhvilluar vetëm 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se me këto sjellje Serbia po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pjeshtër të Sanxhakut është duke u zhvilluar dita mbase kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor 2024” ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarak kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveq se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e behet në Peshtër të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, ka thënë ai.

Kryeministri këto deklarime i bëri në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Kjevë-Dollc.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat