Thaçi i VV-së me akuza të rënda: Opozita e ka shkatërruar Trepçën, i vetmi sukses i tyre ishte shitja e mbeturinave të saj

Aktuale

Thaçi i VV-së me akuza të rënda: Opozita e ka shkatërruar Trepçën, i vetmi sukses i tyre ishte shitja e mbeturinave të saj

Më: 12 prill 2024 Në ora: 09:45
Halil Thaçi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi ka qenë njëri nga deputetët e shumicës parlamentare që ka vizituar nga afër punëtorët e Ndërmarrjes ‘’Trepça’’ të cilët kishin mbetur një kohë pa paga, gjendje kjo që u përsërit sërish në muajin prill.

Ai beson se Qeveria e Kosovës është duke punuar për ri-ngritjen e Trepçës dhe se me investimin dhe interesimin që Qeveria ka për atë ndërmarrje do t’i kthehet shkëlqimi

”Në Trepçë kanë ndodhur ndërrimet e menaxhmenteve. Duhet me besuar që ka vite që nga paslufta që është keq-menaxhuar me të. Trepça gradualisht nuk është se mund të ngritët shpejtë, po gradualisht do të ngritët me investimet dhe me mbështetjen e Qeverisë. Unë kam qenë atje, i kam parë problemet nga afër dhe besoj që me përkrahjen e Qeverisë do të ngritët’’, thekson Thaçi.

Për Thaçin shkaktari kryesor pse kjo ndërmarrje ka ardhur në këtë gjendje është opozita e tanishme e cila më parë ka udhëhequr vendin dhe ka kërkuar nga ajo që të mos flas për këtë ndërmarrje.

‘’Qeveritë e më hershme e kanë shkatërruar dhe nuk ka qenë e mundur që për tri vite të vije aty ku duhet Trepça. Opozita nuk ka as kredibilitet me fol për Trepçën. I vetmi sukses që opozita për sa kohë e ka qeverisë vendin është shitja e mbeturinave të Trepçës e ne e dijmë me çfarë çmimi janë shitur mbeturinat e saj. I vetmi mision dhe vizion i opozitës ka qenë privatizimi i saj. E kisha lutë opozitën, mos me fol bre për Trepçën se nuk kanë kurrfarë kredibilteti me fol për të”, thotë ai.

Sipas tij, prej 1250 punëtorëve të Trepçës, vetëm 250 janë minatorë dhe se të tjerët punojnë në administratë.

“Prej 1250 punëtorëve në Trepçë, vetëm 250 janë minatorë, të tjerët punojnë në administrata dhe nuk janë minatorë’’.

Deputeti i VV-së ka akuza të rënda ndaj kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala për të cilin thotë se ka qenë edhe iniciator i disa protestave nga punëtorët e Trepçës.

“Njeriu që fol më së shumti për Trepçën është deputeti Ferat Shala i cili ka qenë drejtor i saj, i cili me Geo mineral i ka shitur mbeturinat e Trepçës, dihet me çfarë çmimi dhe dihet kush kanë qenë kryesorët e Geo Mineralit dhe si ka ndodhur ai proces i cili është përfolur shumë. Ferat Shala ka qenë njëfarë organizatori i disa protestave në Trepçë”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat