FSK-ja stërviti policët ukrainas, Maqedonci: Jemi bashkë me ShBA-në në mbështetje të Kievit

Aktuale

FSK-ja stërviti policët ukrainas, Maqedonci: Jemi bashkë me ShBA-në në mbështetje të Kievit

Më: 11 prill 2024 Në ora: 17:12
Ejup Maqedonci

Në kazermën e FSK-së në Prizren është mbajtur ceremonia e diplomimit të kontingjentit të parë të deminerëve ukrainas, të cilët ishin trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Komanda Evropiane e ShBA-së.

Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se trajnimi ishte gjashtë-javor i grupit të parë të personelit ukrainas në fushën e deminimit, ku ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Kosova qëndron krah ShBA-së në mbështetje të luftës së Ukrainës.

“Republika  e Kosovës qëndron  vendosur krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera demokratike në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar dhe të padrejtë rus”, tha Maqedonci.

Kurse, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari tha se populli i Kosovës më mirë se kushdo e kupton rëndësinë e luftës së Ukrainë ndaj agresorit dhe çmimin e lartë që e ka liria.

“Prandaj jemi të dedikuar krah për krah me aleatët tanë që të ndihmojmë popullin e Ukrainës në përpjekjet e tyre për liri, njëjtë siç na kanë ndihmuar dhe kanë qëndruar pranë nesh aleatët në kohët e vështira, ku edhe sot po e vazhdojmë rrugëtimin së bashku”, tha Jashari.

Ndërsa, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se “sot po shënojmë një të arritur të jashtëzakonshme të përfundimit të këtij kursi, që shënon edhe një herë përkushtimin dhe vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur shtetin e Ukrainës nga sulmi brutal i Rusisë”.

Falënderues për trajnimin u shpreh edhe koloneli ukrainas që ishte pjesë e kursantëve, duke thënë se ky kurs ka një rëndësi të lartë për ushtarët ukrainas, pasi ndihmon në pastrimin e territorit të Ukrainës nga mjetet e pashpërthyera.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në koordinim me aleatët ndërkombëtarë do të vazhdojë të ofrojë kontributin e saj, me kapacitetet njerëzore dhe logjistike për t’i dalë në ndihmë Ukrainës në qëllimin e saj për të siguruar paqe dhe siguri”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat