​Ngacmimet seksuale në UP, studentet bllokojnë Rektoratin

Aktuale

​Ngacmimet seksuale në UP, studentet bllokojnë Rektoratin

Më: 11 prill 2024 Në ora: 15:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Lëvizja Feministe Studentore së bashku me studentët aktivistë kanë protestuar sot përpara Rektoratit duke kërkuar shkarkimin e profesorit universitar Xhevat Krasniqi, i denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.

Derisa Këshilli i Etikës ka mbajtur mbledhje gjatë ditës për shqyrtimin e ngacmimit të studenteve të Fakultetit të Mjekësisë nga profesori Krasniqi, studentët në krye me Lëvizjen Feministe e kanë bllokuar derën e Rektoratit deri në marrjen e vendimit për përjashtim.

Anëtarja e Lëvizjes Feministe Studentore, Anita Mjeku ka deklaruar se përveç protestave të vazhdueshme për pesë ditë me radhë dhe bllokimit të derës së Rektoratit sot, grupi studentor ka bërë thirrje për bojkot të ligjëratave në Universitetin e Prishtinës.

Mjeku: Do ta bllokojmë Rektoratin deri në përjashtimin e profesorit

“E kemi bllokuar derën e Rektoratit edhe nuk do t’i lëmë anëtarët e Këshillit të Etikës të dalin nga ajo derë pa u marrë vendimi për përjashtimin e profesorit Krasniqi nga universiteti. Ata tash prej orës 13:00 janë brenda duke e mbajtur mbledhjen për të marrë vendimin për të, por ata kanë dalë dhe kanë thënë që nuk ka vendim dhe janë duke shqyrtuar provat dhe kjo është e papranueshme. I bëjmë thirrje që dera e Rektoratit nuk do të lëshohet pa u marrë vendimi meritor për Xhevat Krasniqin. Ne kemi bërë thirrje edhe për bojkot të ligjëratave në të gjitha fakultetet e UP-së, asnjë profesor dhe profesoreshë nuk e kemi parë në protestë. Pushteti ka përgjegjësi për gjendjen në të cilën është universiteti tash. Ne ju bëjmë thirrje edhe atyre (studenteve tjera) në ligjërata që të na bashkohen në bllokadë. Ai është denoncuar nga 27 studente të mjekësisë për ngacmim seksual. Fakulteti i Mjekësisë na kanë lajmëruar që e kanë bojkotuar mësimin, njëjtë edhe një orë është bojkotuar në inxhinierinë mekanike, por kjo nuk mjafton kur sot në ballë të rezistencës nuk e kemi asnjë profesor", tha Mjeku.

Profesori Hajrullah Koliqi, anëtar i Këshillit Drejtues, tha se profesori i denoncuar për ngacmim seksual duhet të suspendohet përkohësisht deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër.

Koliqi: Ngacmimi i studenteve nga profesorët duhet të zgjidhet me suspendim

“Në këtë aspekt të mirë qëllimshëm të ashpër, e para herë çka ka ndodhur nuk di, por kjo çështje duhet trajtuar, duhej dhënë një epilog, në radhë të parë menaxhmenti, dekani, rektori e tjerë është dashur të suspendohet profesori përkohësisht derisa të zgjidhet problemi, e mandej të vazhdojnë. Kështu nëse e lëmë pezull, për mua nuk është në rregull. Ata nuk i njoh, për rendin e ditës në Këshillin e Drejtësisë unë do të shtoj si pikë të mbledhjes," tha Koliqi.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Etikës, studentët kanë bllokuar derën e Rektoratit. Menjëherë pas këtij veprimi ka ndërhyrë Policia e Kosovës duke shpërndarë me forcë aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore, si dhe duke arrestuar aktivistin nga ORCA, Rron Gjinovcin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat