Deklarohen avokatët pas seancës për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Aktuale

Deklarohen avokatët pas seancës për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Më: 11 prill 2024 Në ora: 10:17 Përditësuar në ora: 11:45 më 11.04.2024
Lulzim Fejzullahu

Deklarohen avokatët pas seancës për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Në Departamentin për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, Lulëzim Fejzullahu kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

Pas seancës që u zhvillua e mbyllur për media avokati i palës së dëmtuar Tomë Gashi, ka thënë se një dëshmitar është dëgjuar ndërsa tjetri ka mbetur për seancën e radhës.

Ai ka bërë të ditur se seancat e radhës pritet të mbahen më 15 dhe 16 prill.

“Seanca është e tipit të mbyllur ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill  të këtij viti ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje ndërsa tjetri në mungesë të asaj se ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, tha Tomë Gashi.

Ndërsa xhaxhai i të ndierit Lulëzim Fejzullahu, Rrahim Fejzullahu ka thënë shkurt se i beson drejtësisë.

“Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”, është shprehur Fejzullahu.

Nga ana tjetër avokati i të akuzuarve Skender Musa ka thënë se çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar që flitet në publik dhe se gjendja është përcjellur nga ana e psikologut ndaj dy të miturve.

“Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellur nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, ka thënë Musa.

Kalon në seancë të mbyllur procesi gjyqësor për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

Po mbahet seanca gjyqësore për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.

Por ka kaluar në senacë të mbyllur procesi gjyqësor i rastit të vrasjes së 18-vjeçarit.

Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut. Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.

Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit.

Për këtë raportim Inspektorati Policor i Kosovës kishte iniciuar hetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat