​LDK i quan të pavërteta deklaratat e Qeverisë se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare

Aktuale

​LDK i quan të pavërteta deklaratat e Qeverisë se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare

Më: 8 prill 2024 Në ora: 12:16
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Qeverisë së Kosovës, se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare.

Sipas LDK-së Qeveria e Kosovës po mundohet të manipulojë me raportet e publikuara tashmë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur dhe konferencë për medie për të shprehur shqetësimin e saj për Raportin e BE-së, ku Kosova ishte vlerësuar me notën më të ulët “progres i limituar”; pra është niveli më i ulët i progresit. Ky raport është më i keqi ndonjëherë ndër vite. Raporti përveç tjerash theksoi shqetësimet për keqmenaxhimin dhe korrupsionin. Nuk ka se si të ishte më ndryshe, ku në po të njëjtin raport përmenden kontratat sekrete. Pra ka propagandë nuk ka luftë kundër korrupsionit! LDK ripërmend fatkeqësisht, se Kosova për herë të parë në historinë e saj është ende nën sanksione të BE-së. Për këtë raport krenohet kjo Qeveri”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja ka përmendur se më parë ka ngritur shqetësimet pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, ku Kosova sipas tyre ishte vlerësuar vetëm me 41 pikë.

“Sipas Transparency International, Kosova vendin e 83-të e ndau me Burkina Fason, Afrikën e Jugut e Vietnamin. Po ashtu Kosova ishte e renditur pas Malit të Zi e pas Maqedonisë së Veriut. Përveç tjerash, radhitja e shteteve në këtë indeks nuk tregon asgjë sepse vendet mund të ndryshojnë renditje pa pasur asnjë përmirësim. Vetëm gjatë qeverisjes së LDK-së (2014-2017), Kosova u ngrit nga 33 poena, në 39 në Transparency International, që do të thotë se pushteti e mori mandatin me 39 poena dhe nuk e ngriti më shumë se 2. Pra ka propagandë, nuk ka lëvizje në indekset ndërkombëtare”, thuhet tutje.

Ndërkaq LDK bënë me dije se raportet janë publike dhe lehtë të verifikueshme dhe demantojnë çdo propagandë.

“LDK e vlerëson këtë Qeveri si; Qeveri e regresit, propagandës dhe e paaftësisë. LDK po ashtu beson se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm të dallojnë propagandën ndaj të gjitha fakteve që po ofrojmë; fakte të publikuara nga institucionet ndërkombëtare e vendore që e demantojnë çdo mashtrim të kësaj Qeverie”, përfundon njoftimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat