​Dita Ndërkombëtare e Romëve, premtohet mbështetje në punësimin e grave rome

Aktuale

​Dita Ndërkombëtare e Romëve, premtohet mbështetje në punësimin e grave rome

Më: 5 prill 2024 Në ora: 18:18
Foto ilustrim

Komuniteti rom ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Romëve, një event ky i rëndësishëm për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e këtij komuniteti, si dhe për të nderuar personalitetet e tij të shquara për kontributin e dhënë në Kosovë.

Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani tha se komuniteti rom përkundër sfidave me të cilat përballet ka arritur të zhvillohet dhe të përfaqësohet në institucionet në vend. Ajo tha se institucionet vendore do të angazhohen për të rritur shkallën e arsimit dhe punësimit në veçanti për gratë dhe vajzat e këtij komuniteti.

Osmani: Do të angazhohem për punësimin e grave e vajzave të komunitetit rom

“Kjo ditë është reflektim për të njohur trashëgiminë e qëndrueshme të komunitetit rom, kulturën e pasur, historinë, por edhe arritjet e jashtëzakonshme gjatë viteve. Pavarësisht vështirësive me të cilat janë përballur komuniteti rom, ka qëndruar i fortë duke ruajtur traditën, gjuhën dhe po ashtu duke u zhvilluar dita- ditës dhe duke u përfaqësuar çdo ditë në institucionet tona. Kontributi i romëve në promovimin e vlerave demokratike është i padiskutueshëm dhe kjo ka ndodhur qe nga ditët e para kur ne kemi marrë hapat e parë për të ndërtuar shtetin tonë. Do të vazhdojmë të angazhohemi bashkërisht me ju që të rrisim shkallën e arsimimit dhe të punësimit për të gjithë pjesëtarët e komunitet rom, me interes të veçantë për gratë dhe vajzat e këtij komuniteti me të cilat punojmë bashkë", tha Osmani.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti theksoi se qeveria që ai drejton është angazhuar fuqishëm për ofrimin e mundësive për komunitetit rom, i cili është ngritur në edukim profesional dhe punësim në institucionet shtetërore.

Kurti: 31% është ngritur punësimi profesional për komunitetin rom

“Qeveria jonë po angazhohet për edukimin profesional të nxënësve dhe studentëve, krahas investimeve në arsim për gjithë fëmijët dhe nxënësit kemi krijuar mundësi për komunitet jo shumicë. Për qendra mësimore kemi ndarë 200 mijë euro në vitin 2023 dhe të njëjtën shumë në vitin paraprak në vitin 2022, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme kemi ofruar mbështetje me nga 500 bursa në vit. Përmes agjencisë së punësimit kemi një rritje prej 31% prej vitit 2022 deri në vitin 2023, nuk po krahasohemi me qeveritë e mëhershme po krahasohemi me vetveten, 31% ka punësim më shumë në vitin që 2023 se sa në atë 2022. Siç e dini regjistrimi i popullsisë ka filluar sot, andaj u ftoj që të merrni në regjistrim, në mënyrë që nevojat e komunitetit rom të dihen saktë dhe të adresohen me saktësi", theksoi Kurti.

Ndërkaq, Avni Mustafa nga organizata joqeveritare "Roma Veristas Kosovo", ka folur mbi kontributin e këtij komuniteti në shoqëri, duke thënë se romët duhet të punojnë jo vetëm për veten e tyre, por për gjithë vendin pasi Kosova ua ofron këto mundësi.

Mustafa: Romët të punojnë jo vetëm për veten e tyre, por për gjithë Kosovën

“Po flasim që ka shumë mekanizma të mirë që romët mund të bëjnë për Kosovën si shtet. Unë mendoj nëse çdo gjë është në rregull dhe se ne vetëm duhet të punojmë më shumë. Ne romët duhet të tregojmë që jemi të vlefshëm dhe duhet të punojmë më shumë për ata. Ne jemi aset i Kosovës dhe mundemi të shfrytëzojmë dijeninë për të dhënë për Kosovën. Kemi pasur shumë sfida si djem, si vajza, kapacitetet që kemi duhet t’i shfrytëzojmë jo vetëm për veten, por për të gjithë Kosovën. Romët duhet të njihen barabartë me të gjithë, sepse Kosova na jep të drejtën, ka diskriminim nga pak, por çdo vend nuk është mirë, por duhet të luftojmë për atë,” tha Mustafa.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve janë ndarë çmime jetësore për aktivistë, të cilët kanë kontribuar në kulturën rome në forma të ndryshme.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Ajo shënohet më 8 prill dhe synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti rom në të gjithë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat