LDK: Kjo Qeveri e ka varfëruar qytetarin e Kosovës

Aktuale

LDK: Kjo Qeveri e ka varfëruar qytetarin e Kosovës

Më: 5 prill 2024 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se pushteti po propagandon duke thënë se është kujdesur për mirëqenien e qytetarëve, kur në tre vitet e fundit, çmimet në Kosovë janë rritur për 25 përqind.

Për këto të dhëna LDK I është referuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës, derisa ka thënë se kjo përqindje, bën që kjo të jetë rritja më e madhe e çmimeve në historinë e Kosovës..

“Pra, ky fakt dëshmon se Qeveria nuk është kujdesur për mirëqenien e qytetarëve, siç kanë potencuar se kanë bërë një gjë të tillë, sepse të dhënat zyrtare e hedhin poshtë propagandën e tyre”, thuhet në reagimin e LDK’së.

Tutje, përmendet rritja e çmimeve të produkteve bazike, ku thuhet se buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët janë rritur përplot 42%, që nga koha e marrjes së mandatit të kësaj Qeverie.

“Përveç kësaj rritje të produkteve bazike, qytetari i Kosovës gjatë tre viteve të fundit me qeverisjen aktuale, është varfëruar për një të katërtën e pasurisë së poseduar. Qeveria ka kontribuar që jeta e qytetarit, të vështirësohet e varfërohet, andaj edhe është përgjegjëse për varfërinë!”, thuhet tutje në reagim.

LDK ka akuzuar pushtetin se edhe po e fsheh rritjen e inflacionit.

“Pushteti, me propagandën e tyre të vazhdueshme në thuajse çdo fushë, ka folur edhe për inflacionin rrejshëm. Por faktet tregojnë qartazi se Kosova ka inflacion enorm. Fshehja e rritjes së inflacionit, tregon se Qeveria ka përdorur rritjen e numrave buxhetor dje qarkullimin biznesor si sukses. Por, propaganda nuk pranohet lehtë nga kushdo. Faktet, hedhin poshtë tendencën për të manipuluar dhe shfaqin të vërtetën e varfërisë së qytetarit dhe rritjen e çmimeve, në produktet bazike”, thuhet në fund të reagiimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat