Tahiri-Beqa: E papranueshme ideja e Serbisë për një bankë në Kosovë

Aktuale

Tahiri-Beqa: E papranueshme ideja e Serbisë për një bankë në Kosovë

Më: 5 prill 2024 Në ora: 06:25
Arta Tahiri-Beqa

Politologia Arta Tahiri-Beqa duke folur për dialogun mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel lidhur me dinarin, ka vlerësuar se as në takimin e katërt që pritet të mbahet pas 2 javëve, nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv.

Tahiri-Beqa ka thënë se në Bruksel, po luhet lojë që u konvenon po të dyjave palëve.

“Loja që po luhet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë i konvenon të dy palëve. Pala serbe do që në vazhdimësi të prolongojë këtë idenë që po cenohet komuniteti serb në Kosovë, financat e tyre janë të pasigurta. Dhe ndërkohë, pala kosovare thotë se me metodën që kërkon Serbia është antikushtetuese. Edhe pas dy javës kur të jetë takimi, nuk do të prodhojë suksese absolutisht”, është shprehur ajo.

Për Tahiri-Beqën, çdo alternativë tjetër e cila cenon kushtetutshmërinë, si ideja e një banke që e kërkon Serbia nuk duhet të pranohet nga institucionet e Kosovës.

“Nuk e dimë se cili është propozimi konkret i Lajçakut. Çdo alternativë tjetër e cila është në një linjë ku cenohet kushtetutshmëria dhe ligji i Republikës së Kosovës, si ideja e një banke që e kërkon Serbia, sigurisht është e papranueshme dhe nuk duhet të pranohet nga institucionet e Kosovës”, ka thekuar ajo.

Ndërkohë, Tahiri-Beqa lëvizjet e fundit, si ajo e vizitës së kryeministrit, Albin Kurti po i sheh si kalkulim për pikë, në fazën kur vendi po hyn në një vit elektoral.

Sipas politologës, dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja pikë më e fortë që Vetëvendosja mund të përdorë për të arritur një rezultat më të mirë në këto zgjedhje.

“Ne e dimë që tani po hyjmë në një vit elektoral zgjedhor, ku të gjitha subjektet politike, mbi të gjitha një subjekt politik që është në opozitë do të kalkulojë shumë për të marr pikë dhe poena, si vizita e Kurtit në veri. Pikërisht dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja pikë më e fortë që Vetëvendosja mund të përdorë për të arritur një rezultat më të mirë” ka shtuar ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat