Është zbuluar emri i kompanisë ndërtimore të cilës iu ndaluan sot punimet në Hajvali

Aktuale

Është zbuluar emri i kompanisë ndërtimore të cilës iu ndaluan sot punimet në Hajvali

Më: 4 prill 2024 Në ora: 17:14
Durim Prishtina

DP & Partners është kompania ndërtimore të cilës iu ndaluan sot punimet në një kompleks banesor në Hajvali të Prishtinës, nën dyshimet për punime pa pajisje të sigurisë në vendin e punës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se Inspektorati i Punës i ka ndaluar punimet deri në një vendim të radhës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Punës për vitin 2024 të kësaj prokurorie, më konkretisht pikës së paraparë për sigurinë në punë, gjatë ditës së djeshme, sipas detyrës zyrtare, ka identifikuar një objekt në Hajvali, në të cilin po kryhen punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve”, tha Prokuroria në një njoftim për media të enjten.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik të kompanisë DP & Partners.

Bazuar në të dhënat publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), përfaqësues i autorizuar, drejtor i kompanisë figuron biznesmeni dhe aksionari kryesor, Durim Prishtina.

Ndaj, tij dyshohet se është iniciuar hetim penal në drejtim të veprës Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Prokuroria ka thënë se mbetet e përkushtuar të marrë veprime për të luftuar pasigurinë e punëtorëve.

“Prokurori i Shtetit është i përkushtuar dhe do të vazhdojë që përmes bashkëpunimit me Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera shtetërore të ndërmerre veprime në saje të kompetencave ligjore, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe edukimit të shoqërisë, si dhe parandalimit të veprave penale të kësaj natyre”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat