LIVE: Trupi gjykues shpreh një shqetësim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Aktuale

LIVE: Trupi gjykues shpreh një shqetësim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Më: 4 prill 2024 Në ora: 07:09 Përditësuar në ora: 13:09 më 04.04.2024
Thaçi dhe të tjerët

Pas ndërprerjes së shkurtër të seancës, vazhdon sërish dëgjimi i dëshmitarit të 54-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Pas një ndërprerje të shkurtër të seancës gjyqësore me arsyetimin që të jenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit në sallë, ka filluar sërish dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të 54-të në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith III ka lënë të kuptohet që ndërprerja e seancës është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore të Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Shoh se zotëri Krasniqi jeni rikthyer. Uroj të ndjeheni më mirë”, tha Smith III, pas rikthimit në sallën e gjyqit.

Sërish, Krasniqi po e përcjell seancën përmes video-lidhjes.

Ndërpritet seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve derisa të jenë të gjithë të akuzuarit të pranishëm

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është ndërprerë seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, derisa në sallën e gjyqit të jenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se seanca pritet të rifillojë kur të gjithë të akuzuarit të jenë në sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do ta ndërpresim seancën derisa të jenë të gjithë të akuzuarit në sallë”, tha Smith III, duke shkuar më pas në pushim.

Përpara kësaj, seanca ishte e mbyllur për publikun dhe nuk dihet se çfarë u tha në sallë.

Kujtojmë se Jakup Krasniqi ishte i pranishëm në seancë përmes video-lidhjes ndërsa Thaçi, Veseli dhe Selimi, ishin fizikisht.

Edhe sot, në seancë të mbyllur po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04739 në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ashtu si në ditët paraprake, edhe sot dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara se të fillohet me dëshminë e këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III dha një urdhër gojor lidhur me vonesat që kanë bërë palët në shtimin e materialeve në listën e prezantimit të tyre.

“Vërejmë që janë shtuar shumë materiale me vonesë në listën e prezantimeve të palëve edhe nuk janë paraqitur pothuajse fare arsye për këto vonesa në shtimin e këtyre materialeve. Trupi gjykues dëshiron të theksojë që në përputhje me afatet që gjenden në urdhrin për zhvillimin e gjykimit, duhet dorëzuar në kohë dhe kur shtohen me vonesë materialet, pala duhet të japë edhe arsyet pse është shtuar me kaq vonesë një material dhe pse nuk është shtuar më përpara”, tha ai.

Smith shtoi se trupi gjykues thekson se duhet të përpiqen më shumë palët që kur të dorëzojnë dokumentet, lista të jetë në formën e vet përfundimtare.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit përveç, Jakup Krasniqit i cili po e ndjek përmes video-lidhjes.

Trupi gjykues shprehet i shqetësuar për mospraninë e të akuzuarve në sallën e gjyqit në rastin Thaçi dhe të tjerët

Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është shprehur i shqetësuar me mosprezencen fizike në sallën e gjyqit të të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se sipas rregullave, të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë gjyqësore me përjashtim të disa rasteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jemi të shqetësuar me mosprezencen e të akuzuarve në sallën e gjyqit kur kemi gjykim. Ne besojmë se të akuzuarit me rregull duhet të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit kur paraqiten prova me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme kur mund t’i ndjekin përmes video-lodhjes”, tha Smith III.

Ai tha se edhe në rastet kur merret leje për mospraninë fizike në sallë, të akuzuarit nuk japin ndonjëherë arsyetime për këtë gjë.

“Kur marrin leje për të mos qenë të pranishëm nuk ka ndonjëherë arsyetim se pse nuk janë të pranishëm. Ne mbështetemi në rregullën 168/1 ku thuhet se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji dhe nga rregullorja”, tha kryetari i trupit gjykues.

Smith III tha se duhet të plotësohen disa kushte që të urdhërohet që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve.

“Sigurisht që trupi gjykues mendon që të akuzuarit ndonjëherë mund të mos jenë të pranishëm nëse lind nevoja dhe këtë mund ta bëjnë përmes avokatit të tyre. Rregulla 168, pika 4 thotë: Kur të akuzuarit nuk duan të paraqiten, atëherë trupi gjykues mund të urdhëroj që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve, por duhet të plotësohen disa kushte për këtë. Kërkesat që ne marrim këtu, nuk janë më shumë refuzime, por më shumë parapëlqime të të akuzuarve ta ndjekin gjykimin përmes videolidhjes. Sigurisht kur ka arsye të vlefshme kjo lejohet dhe ne e kuptojmë që prania e të akuzuarve mund të mos jetë e nevojshme kur edhe dëshmitari është përmes video-lidhjes apo kur në sallën e gjyqit do të diskutohen aspekte që nuk lidhen drejtpërdrejtë me dëshmitarët”, tha ai.

Pas kësaj, kryegjykatësi Smiith III dha një urdhër me gojë lidhur me këtë aspekt që evitojnë situata të tilla.

“Urdhërojmë pra që të gjitha kërkesat për të mos marrë pjesë në sallën e gjyqit gjatë gjykimeve të kenë një arsyetim të kënaqshëm pse të akuzuarit nuk do të jenë të pranishëm. Pra, të kenë arsyeje të vlefshme. Leje të tilla i duhet t’i paraqiten trupit gjykues brenda 24 orësh para gjykimit, përndryshe nuk do të lejohen të tilla situata më”, tha gjyqtari Smith III.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që nga 2019 vazhdojnëtë mbahen në Hagë.

Ndryshe dje pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Shaun Byrnes, ka rinisur dëshmia e dëshmitarit të 54-të të ZPS-së W04739.

Dëshmia dje është mbajtur tërësisht në seancë të mbyllur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat