Orbani krah i Vuçiqit në BE, Borrell e Lajçak dështojnë t’ia vendosin marrëveshjen me Kosovën në Kapitullin 35

Aktuale

Orbani krah i Vuçiqit në BE, Borrell e Lajçak dështojnë t’ia vendosin marrëveshjen me Kosovën në Kapitullin 35

Më: 1 prill 2024 Në ora: 14:43
Orban dhe Vuçiqi

Fjala e BE-së për Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit si ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme për Serbinë ende nuk është përmbushur.

Tash një vit bëhen që kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaronte se “do të nisim menjëherë” amandamentimin e Kapitullit 35 të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në BE për të përfshirë Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit (2023).

Kjo do ta ngurtësonte në obligim të prerë për Serbinë në krejt rrugën evropiane të saj.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi në dhjetor të vitit të kaluar, pati thënë se kjo do të ishte punë e kryer deri në fund të janarit 2024.

As kjo nuk u bë.

Në një intervistë pyetur se pse BE s’po e përmbush fjalën/zotimin e saj për ta lidhur Serbinë për këtë marrëveshje, Lajçak duke u shprehur krejtësisht në ajr na pati thënë se “shtetet anëtare të BE-së po diskutojnë aktualisht përditësimin e Kapitullit 35 me qëllim që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë”.

Radio Evropa e Lirë, ndërkaq, raportoi hiç më larg se sot se sërish s’është arritur konsensus për përfshirjen e marrëveshjes në kapitullin 35.

Hungaria – u tha – del të ketë bllokuar pajtimin e përgjitshëm evropian saktësisht në favor të Serbisë për të mos e lejuar ingranimin e saj në atë kapitull.

“Hungaria, vend nga i cili vjen ky komisionar, sipas burimeve diplomatike, vazhdon të jetë ndër vendet anëtare që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve në Këshill të BE-së”, raportoi REL-i.

Kapitulli 35 kaherë është kuptuar implicit që normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën duhet të çojë në njohje të ndërsjellë, e që tekstualisht shkruhet në abstrakt se duhet të përfundojë në një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës i ngarkuar edhe si kryenegociator me Serbinë, Besnik Bislimi, ditëve të fundit është shprehur se BE-ja s’i ka përmbushur obligimet e saj duke iu referuar mospërfshirjen e marrëveshjes në Kapitullin 35 të bisedimeve të Serbisë me BE-në.

Serbia kaherë është shprehur me kollajllëk në dyshimin e tyre – me ç’duket mirë të bazuar – se kjo përfshirje e marrëveshjes në atë kapitull s’do të ndodhte.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehej që “nuk e beson” se Kapitulli 35 mund t’i amandamentohej, së paku jo në pikat që ai ka quajtur “vija të kuqe” si: Kosova në OKB, njohja qoftë formale qoftë jo formale dhe njohja e integritetit territorial të Kosovës; pika këto që i kundërshtuan me shkrim edhe përmes një shkrese zyrtare dërguar më parë nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Borrell qysh më 17 mars të këtij viti pas konkludimit të tekstit të Aneksit të Zbatimit të Ohrit, kishte thënë para gazetarëve se “(…) Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse në BE”.

“Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të Negociatave të Kornizës së Negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre në Bashkimin Evropian”.

Kosova, ndryshe nga më parë kur vetëm inicializoheshin tekstet, edhe siguri më të madhe juridike për Marrëveshjen Bazike. E kjo siguri juridike, beson Qeveria e Kosovës, arrihet me nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit si dhe deponimin e saj si Traktar Ndërkombëtar para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Miroslav Lajçak në fund të dhjetorit shprehej se i kanë marrë parasysh kërkesat kosovare për mënyrat e formalizimit të marrëveshjes por se nënshkrimi nuk konstitution me doemos atë që ata supozojnë.

“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim, dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre”.

Çka thuhet në Kapitullin 35 të Serbisë në bisedimet me BE-në?

Ky Kapitull i referohet normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën si kusht kyç dhe i domosdoshëm i eventualitetit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në Kapitullin 35 në mënyrë eksplicite thuhet se në qoftë se “për shkak të dështimit nga ana e Serbisë që të veprojë në mirëbesim, në veçanti në zbatimin e marrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, Komisioni Evropian në bazë të iniciativës së vet dhe me kërkesën e një të tretave të Shteteve Anëtare, dhe në pajtim me pikën 25 të kornizës negociuese, do të propozojë pezullimin e rekomandimeve të saj në hapjen ose mbylljen e kapitujve tjerë negocues, dhe të miratojë punët përgatitore të asocuara, siç të jetë e duhur, deri kur ky imbalancë të adresohet”.

Kapitulli 35 parasheh që Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në arritjen e një “marrëveshje gjithpërfshirëse dhe finale” për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën; gjë që kaherë është nënkuptuar edhe njohjen juridike të Kosovës nga kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar por edhe Parlamentit Evropian; gjë që bëhet tash e paqartë me përfshirjen e Marrëveshjes Bazike ku ka vetëm njohje “de facto” (që është interpretuar ashtu) dy-Gjermanëshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat