​Qytetari ankohet për përdorim të forcës, IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve

Aktuale

​Qytetari ankohet për përdorim të forcës, IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve

Më: 30 mars 2024 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë.

Të premten, IPK-ja ka pranuar nga Policia në Suharekë informacion lidhur me një ankesë nga një qytetar. Ai është ankuar për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur të premten në orët e mbrëmjes kur policia kishte reaguar në një incident në Suharekë.

Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës”, ka thënë IPK.

IPK ka thënë se do të vazhdojë konsultimet me prokurorin përgjegjës dhe pret të ndërmarrë veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat