Kontratat njëburimore, LDK kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale - PDK propozoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, reagon Konjufca

Aktuale

Kontratat njëburimore, LDK kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale - PDK propozoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, reagon Konjufca

Më: 28 mars 2024 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 11:10 më 28.03.2024
Kuvendi i Kosovës

Deliu-Kodra: Kontratat njëburimore janë bërë standard i përditshëm i kësaj qeverie

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kontratat njëburimore janë bërë standard i përditshëm i qeverisë Kurti.

Në seancën ku po diskutohet për këtë çështje, ajo tha se është bërë rregull dhënia dhe negocimi i tyre në tavolina kafenesh “me miq dhe dosta pa asnjë procedurë, pa asnjë transparencë”.

“Nuk po flasim sot për dështimët e mëdha të kësaj qeverie, por për kontratat njëburimore. Korrupsion i madh i një qeverie përmes kontratave njëburimore.

Se korrupsioni është bërë mjet i kësaj qeverie e kemi thënë edhe dy vjet më parë, kemi denoncuar me fakte keqpërdorimet. Edhe atëherë kemi ngritur shqetësimet tona si PDK, se kontratat njëburimore janë bërë rregull i punës në gjithë qeverinë e Kosovës. Janë bërë standard i përditshëm i kësaj qeverie”, u shpreh ajo.

Tahiri i bën thirrje deputetëve ta votojnë Komisionin Hetimor për kontratat njëburimore

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje sërish deputetëve ta votojnë Komisionin Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për këto kontrata, ai tha se ky Komision është shumë i rëndësishëm dhe në interes të Kosovës dhe të qytetarëve, njofton Klankosova.tv.

“Si deputetë të opozitës kemi pasur për qëllim që ta kemi bashkë një diskutim dhe të shohim arsyeshmërinë e kontratave, a kanë apo jo arsyeshmëri dhe a kanë bazë ligjore disa prej tyre.

Për dy vjet, kontratat njëburimore sipas hulumtimit që kemi bërë, janë rreth 220 kontrata në vlerë të rreth 153 milionë eurove. Megjithatë, sipas hulumtimeve nga grupet e tjera, janë rreth 200 milionë euro të shpenzuara në kontratat njëburimore.

Ne duhet të vijmë në një përfundim me një raport përfundimtar. Duhet të shohim se sa janë të arsyeshme këto kontrata. Abuzimet janë të mëdha, kjo është sfidë e madhe për prokurorë e lërë më për deputetë”, tha Tahiri.

​Seanca nis me një minutë heshtje për të rënët për liri

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për të rënët për liri, për të cilët ditëve të fundit është shënuar përvjetori i masakrës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kujtoi masakrën në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, në Dardani të Pejës, Izbicë të Skenderaj e në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të Podujevës.

Seanca e jashtëzakonshme në lidhje me themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat një-burimore të nënshkruara gjatë qeverisjes Kurti, filloi me një minutë heshtje të deputetëve.

Konjufca: Këto ditë që po i kalojmë janë ditë të kujtimit dhe të dhimbjes

“Këto ditë që po i kalojmë janë ditë të kujtimit dhe të dhimbjes, sepse pardje dhe dje ishte përvjetori i masakrës në Krushë të Madhe dhe të Vogël, dje ishte përvjetori i masakrës në Dardani të Pejës.

Kurse sot e kemi 25 vjetorin e masakrës së Izbicës në Skenderaj e po ashtu edhe masakrat në familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të Podujevës.

Për të gjithë të rënët unë po propozojë që të mbajmë një minutë heshtje në këtë datë”, deklaroi Konjufca.

Konjufca i ka shprehur ngushëllime senatit amerikan për vdekjen e senatorit Joe Lieberman, për të cilin tha se ishte mik i madh i shqiptarëve.

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të diskutohet  Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Fillimisht kryetari i Kosovës, Glauk Konjufca, kërkoi një minutë heshtje për viktimat e shumta që u kujtuan këto ditë, si në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël në familjen Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, e të tjera.

Sipas të dhënave që ka prezantuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë Qeverisë Kurti II, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Për këto të dhëna, ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së Kryesisë, më 25 mars, ka thënë se të enjten do të mbahen dy seanca plenare.

“Në agjendën e seancave plenarë për këtë javë më 28 mars në orën  10 seanca e jashtëzakonshme, seancë kjo që synon themelimin e komisionit parlamentar për kontratat e negociuara. Në orën 12 seanca me vazhdimin e pikave te pa përfunduar. Kryesia është dakorduar të mbajë seancë të veçantë me datën 11 prill në përvjetorin e betejës së Koshares”, ka thënë ajo.

-------

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca, njëra nga to e jashtëzakonshme.

Në seancën e jashtëzakonshme që pritet të nis në orën 10:00, në rend dite është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Ndërsa në orën 12:00 do të vazhdojë seanca plenare, ku në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt dhe 14 mars.

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024: 

24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, 

41. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët, 

42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,

43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,

46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,

47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022, 

48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,

49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,

50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,

51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024:

16.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

25.    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

27.    Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë,

28.    Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

29.    Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,

30.    Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 14 mars 2024:

1. Votimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat