Osmani: Personat me Sindromën Down janë potencial për vendin

Aktuale

Osmani: Personat me Sindromën Down janë potencial për vendin

Më: 21 mars 2024 Në ora: 21:02
Vjosa Osmani

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Sindromës Down, Shoqata Down Syndrome Kosova ka organizuar sonte ngjarjen “Bashkohu me ne”.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se personat me Sindromën Down janë një potencial i jashtëzakonshëm për vendin, derisa kërkoi më shumë angazhim të institucioneve që të njëjtit të integrohen plotësisht në shoqëri.

Osmani: Personat me Sindromën Down janë një potencial për vendin

"21 marsi edhe një herë po na bashkon për të riafirmuar përkushtimin tonë për të mbështetur personat me Sindromën Down dhe për t’i parë ata siç janë, një potencial i jashtëzakonshëm për vendin tonë...Si institucione na takon që të vazhdojmë të punojmë për një mjedis gjithëpërfshirës për të gjithë. Duhet të krijojmë kushte sa më të mira për përfshirje më të madhe për personat me Sindromën Down dhe shfrytëzimin e potencialin që ata e kanë", tha ajo.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ekzekutivi mbështet personat me Sindromën Down, derisa shtoi se diversiteti nuk duhet të jetë shkas për ndëshkim, por potencial për më shumë solidaritet.

Vitia: Diversiteti të jetë shkas potencial për më shumë solidaritet

"Ende kemi shumë rrugë të gjatë përpara dhe nuk do të ndalemi. Dallimet mes nesh janë mrekullia që nuk bënë të mos përkujdesemi. Sindroma Down është një sfidë për individët dhe familjet... Diversiteti mes nesh të mos jenë shkas për ndëshkim, por potencial për më shumë solidaritet", tha ai.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se çdo individ duhet të ketë vlerë në shoqërinë kosovare.

Zogaj: Çdo individ ka vlerë në shoqëri

"Për të vënë në pah ndërlikimet, por edhe bukurinë e diversitetit njerëzor, Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down është një rast për të reflektuar për një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë që ka të bëjë me respektin ndaj individëve. Ne të gjithë duhet të kuptojmë se çdo individ ka vlerë në shoqëri," tha ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down simbolizon njohjen dhe vlerësimin e diversitetit njerëzor për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë. Ajo kërkoi nga institucionet më shumë mundësi për personat me aftësi të kufizuara.

Hajdini-Beqiri: Jam krenare për rrugëtimin tonë

"Një ditë që simbolizon jo vetëm njohjen, por edhe vlerësimin e diversitetit njerëzor dhe forcën për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë. Jam krenare për rrugëtimin tonë, i cili është përcjellë me shumë sfida. Gjatë këtyre viteve ne kemi punuar pa pushim duke mbështetur fëmijët me Sindromën Down dhe familjet e tyre për integrim dhe arsimim," tha ajo.

Mbështetje personave me Sindromën Down u ofruan edhe përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë.

Sindroma Down është një gjendje në të cilën një person ka një kromozom shtesë. Kromozomet janë "pako" të vogla gjenesh, të cilat përcaktojnë se si trupi i një foshnje formohet dhe funksionon ndërsa rritet gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.

Në mënyrë tipike, një fëmijë lind me 46 kromozome. Foshnjat me sindromën Down kanë një kopje shtesë të njërit prej këtyre kromozomeve - kromozomin 21. Një term mjekësor për të pasur një kopje shtesë të një kromozomi është 'trizomi'. Sindroma Down quhet edhe Trisomia 21. Kjo kopje shtesë ndryshon mënyrën se si foshnja trupi dhe truri zhvillohen.

Personat me Sindromën Down zakonisht kanë një masë inteligjence në diapazonin e ulët deri në mesatarisht të ulët dhe janë më të ngadaltë në të folur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat