Ferguson: Investitorët kërkojnë stabilitet – Kurti e Vuçiqi të tregojnë lidership

Aktuale

Ferguson: Investitorët kërkojnë stabilitet – Kurti e Vuçiqi të tregojnë lidership

Më: 21 mars 2024 Në ora: 17:10
Edward Ferguson

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, në një intervistë për qendrën hulumtuese “Demostat” në Beograd, duke shprehur keqardhje për mungesën e progresit në procesit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kryediplomati britanik deklaroi se tani është koha që liderët e të dyja vendeve të tregojnë lidership politik.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pranuan një marrëveshje më 27 shkurt 2023. Pastaj u arrit një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit më 18 mars të të njëjtit vit. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten emërues të përbashkët të procesit të dialogut.

“Mendoj se është zhgënjyese që nuk pamë më shumë përparim drejt vendosjes së normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është në interesin e të gjithëve, mbi të gjitha në kuptimin ekonomik. Gjëja e parë që investitorët kërkojnë është stabiliteti”, deklaroi Ferguson, derisa përshëndeti disa nga zhvillimet pozitive të fundit.

“Në muajt e fundit, kemi parë njëfarë progresi. Për shembull, vendimi i Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave të Kosovës dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit. Mendojmë se është shumë mirë që është bërë progres, por shohim edhe çështje shumë problematike që nuk ndihmojnë për të krijuar një atmosferë pozitive për progres”, potencoi ai.

Ferguson theksoi se pret që Kosova të nisë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, kurse Serbia t’i përmbushë të gjitha obligimet që derivojnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në mënyrë që palët t’i kontribuojnë atmosferës së pajtimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat