Vrasja me eksploziv në Gjakovë, Dod Gjikolaj lirohet nga akuza

Aktuale

Vrasja me eksploziv në Gjakovë, Dod Gjikolaj lirohet nga akuza

Më: 20 mars 2024 Në ora: 11:40
Dod Gjikolaj para Gjykate

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Dod Gjikolaj, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftim bëhet e ditur se trupi gjykues, pas mbajtjes së 16 seancave gjyqësore, dëgjimit të 10 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e 3 ekspertizave, 2 vendore dhe 1 ndërkombëtare (nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicër), ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.

I pandehuri Dod Gjikolaj akuzohej se “më 14 tetor 2018 rreth orës 07:48 minuta në fshatin Smolicë të Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A. nga fshati Smolicë i Gjakovës, dhe me atë rast vë në rrezik jetën e të dëmtuarit A. K., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri D.Gj., rreth orës 02.30 minuta ka vendosur një materie eksplozivi në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë tani së të ndjerit Haxhi Ahmetit, në momentin kur tani i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit e pikërisht kur tenton të mbyll dyert, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon atë materie eksplozivi dhe nga shpërthimi, mbetet në vend i vdekur H.A., dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K” .

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat