Përplasen Raci e Bajrami: “A po do emra? Krejt i qes”

Aktuale

Përplasen Raci e Bajrami: “A po do emra? Krejt i qes”

Më: 19 mars 2024 Në ora: 22:40
Hykmete Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka dhënë disa emra të kompanive, që sipas saj kanë përfituar kontrata njëburimore.

Kjo erdhi pasi në emisionin Rubikon, opinionisti Gazmir Raci deklaroi se duhet të jepen emra e jo shifra, dhe se ato duhet të adresohen në prokurori ose hetuesi.

“Të themi këtu që ka raste dyshimi dhe në fakt nuk ke dyshime?”, tha Raci.

“Jo kemi dyshime”, iu khye Bajrami.

“Atëherë pse nuk i bëni publike rastet dhe t’i dërgoni në prokurori. Me emër e mbiemër duhet të identifikohen kompanitë, jo me shifra”, shton Raci.

Pas kësaj Bajrami e pyet: “A po do emra e mbiemra?” Dhe vazhdon duke përmendur emrat e kompanive që sipas saj kanë përfituar kontrata njëburimore.

“Kontratat njëburimore nuk mund të cilësohen si investime në Kosovë. Meqenëse po dëshiron emra, ja po i përmendi. Kompania “Bageri”, për të cilën ka punuar zëvendësministri Durmishi, i ka tre kontrata njëburimore në vlerë prej 309 mijë e 538 euro”.

“Tjetra, rasti i angazhimit të një eksperti me emrin Gazmend Begolli, i cili në vitin 2018 aderon në Lëvizjen Vetëvendosje. Ka postime të kryeministrit Kurti ku ai i thur lavde ekspertit i cili aderon, dhe pastaj kontrata e negociuar si ekspert, ku në vitin 2020 i paguhet Begollit 27 mijë euro”.

“Për besë nuk e di se t’i quaj këto! Veç investime nuk mund t’i quaj! Këto janë dyshime për favorizim, për keqpërdorim të pozitës, korrupsion e çka të duash tjetër”, deklaroi deputetja Bajrami, duke u lidhur edhe me atë që Raci paraprakisht u shpreh edhe se “ka tre vjet që LDK-ja ka trumbetuar që në Kosovë nuk ka investime, zero investime, e tash na dalin që paska investime, paska kontrata njëburimore që sipas asaj janë sipas ligjit të prokurimit publik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat