​Kostoja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e lokale pritet të jetë 13 milionë euro

Aktuale

​Kostoja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e lokale pritet të jetë 13 milionë euro

Më: 15 mars 2024 Në ora: 14:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar sot kornizën afatmesme të shpenzimeve për 2025-2027, në të cilën përfshihet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, ku kostoja totale kap shumën 13 milionë euro.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se shuma e planifikuar është vetëm për nevoja të KQZ-së si trup menaxhues i procesit të zgjedhjeve.

Krasniqi: Kostoja e planifikuar për zgjedhjet parlamentare e lokale është 13 milionë euro

“Për zgjedhjet parlamentare për nevoja të KQZ-së dhe sekretariatit brenda që është profesional, janë 234. Për nevoja të QKN-së dhe KKZ-së janë 516 dhe si trupa menaxhues të zgjedhjeve, që direkt janë të përfshirë në menaxhimin e zgjedhjeve është një numër prej 23 mijë e 180 persona. Pra, në tërësi për zgjedhjet parlamentare planifikohet të angazhohen 23 mijë e 930 staf apo personel...Kostoja totale e planifikuar për zgjedhjet parlamentare vetëm për angazhim të stafit për vitin 2025 e kap shifrën prej 4 milionë e 381 mijë euro. Ndërsa, për zgjedhjet lokale ku përfshihet zgjedhjet për kryetarë komune, për kuvend komunal, numri total i personelit të angazhuar do të jetë i përafërt me zgjedhjet parlamentare, ndërsa kostoja është pothuajse dyfishi, pasi kemi dy raunde votimi, pra për nivelin lokal është 8 milionë e 700 mijë euro dhe nëse i bashkojmë të dyja si shpenzime, kosto totale është 13 milionë euro”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se në kuadër të përgatitjeve për procesin e votimit pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri, subjekteve politike u është dërguar ftesa për të paraqitur nominimet e tyre për anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna.

Ahmetaj: Më 10 mars u dërgua ftesa partive për propozimin e anëtarëve të komisioneve komunale

“Më 10 mars është dërguar ftesa partive politike për propozimin e anëtarëve të komisioneve komunale të zgjedhur për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave. Ftesë iu është bërë subjekteve politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i dorëzojnë propozimet e tyre të anëtarëve për KKZ në komunat përkatëse”, tha ai.

Krahas kësaj, u bë e ditur se më 1 mars 2024 është përmbyllur afati ligjor për subjektet politike të regjistruara për të dorëzuar në KQZ raportin vjetor financiar për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023.

Në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë pranuar 51 raporte vjetore financiare, ndërsa tri të tjera, si Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Eko Lëvizja e Gjelbër, nuk i kanë dorëzuar ende këto raporte. Për shkak të mosdorëzimit, zyra ka shqiptuar gjoba për tri subjektet politike të regjistruara me nga 4.000 euro secilën prej tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat