Caka-Nimani thotë se inicialet e grave të vrara janë dështim i shtetit

Aktuale

Caka-Nimani thotë se inicialet e grave të vrara janë dështim i shtetit

Më: 15 mars 2024 Në ora: 10:53
Gresa Caka-Nimani

Këshilli i Evropës dhe Qendra AIRE, kanë organizuar të premten konferencën me temën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”. Aty u tha qëllim i kësaj konference është ofrimi i një platforme për diskutim ndërmjet Gjykatës Kushtetuese, gjykatave të rregullta dhe sistemit prokurorial për forcimin e dialogut për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatat dhe prokuroritë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile.

Konferenca në fokus pati diskutimin rreth përmirësimit të zbatimit të Konventës së Stambollit, përmirësimin e parandalimit dhe ndjekjes penale të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në këtë drejtim.

Në hapje të konferencës, Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke numëruar vrasjet e grave gjatë viteve në Kosovë, tha se diskutimi i hapur për këtë çështje është mundësi e identifikimit të të arriturave, sfidave dhe zgjidhjeve.

Ajo tha se inicialet e këtyre grave të vrara nuk janë thjeshtë statistika por histori të trishta të grave kosovare dhe reflektojnë dështimin e shtetit.

“Inicialet e grave të vrare nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që iu janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e shoqërisë”, tha Caka-Nimani.

Ajo ka përmendur disa raste të ndryshme të femicidit, teksa edhe ka potencuar që institucioni që drejton ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë në raste të ndryshme.

“Që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë në rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej Gjykata sërish konstaton të njëjtën në rastin e Sebahate Morinës”, tha ajo.

Caka-Nimani i ka cilësuar ato si thirrje për bashkërendim e mobilizim.

“Sigurisht që praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, duhet të ketë rol parësor në zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazitë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë”, ka deklaruar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani.

Ndërsa, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, theksoi se për të pasur sukses në përpjekjen për parandalimin e dhunës në familje e baza gjinore, asnjë nga hallkat e shtetit nuk duhet të dështojë, pasi sipas saj, do të ballafaqohemi sërish me vrasje dhe shkeljen e të drejtave të viktimave.

“Për herë të parë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë përsipër përgjegjësitë që kanë në raport me adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Në këtë rast konsideroj që për të pasur sukses në përpjekjen tonë, asnjë nga hallkat nuk duhet të dështojë përndryshe do të ballafaqohemi sërish me vrasje dhe shkeljen e të drejtave të viktimave. Duhet të bëjmë çmos që secila viktimë apo secila vajzë e grua që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen ta dijë që e ka mbështetjen e plotë institucionale por edhe shoqërore dhe jo e kundërta, sepse kjo edhe ndihmon në raportim të dhunës dhe jo heshtje por edhe në parandalim të këtyre rasteve, gjithnjë nëse vendimet ndaj dhunuesve janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra nëse ato janë meritore…Edhe nga kjo Konferencë bëj thirrje që normat shoqërore që shpesh arsyetojnë dhunën, të luftohen dhe që secili institucion përgjegjës ta kryejë me profesionalizmin më të lartë, obligimin që ka, e në rast të dështimit, të merren masat të cilat jam e bindur që do të disiplinojnë në të ardhmen secilin zyrtarë pavarësisht institucionit”, tha Haxhiu.

Biljana Braithwite, Drejtore e Programit për Ballkanin Perëndimor të Qendrës AIRE, tha se dhuna në bazë gjinore nuk është private por që duhet bartur për të gjithë. Ajo kërkoi më shumë angazhim në luftimin e femicidit.

“Hulumtimet që janë kryer demonstrojnë se anë e mbanë rajonit secili rast i femidicit ka mundur të parandalohet. Thirrjet e tyre për ndihmë që janë shpërfillur askush nuk ja ka vënë veshin. Dhuna në bazë gjinore asnjëherë nuk është private, është barrë qe duhet ta bartim të gjithë. Kjo ngjarje paraqet një hap të rëndësishëm. Synimi ynë të shqyrtojmë secilin hallkë në sistemin e drejtësisë dhe t’i identifikojmë mundësitë për bashkëpunim. Secili prej jush është një hallkë e pazëvendësueshme në zinxhirin e drejtësisë. Vetëm nëse punojmë së bashku ne do të mund ta parandalojmë dhunën me bazë gjinore”, tha ajo.

Tankut Soykan, Zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, tha se në nëntor të vitit 2022, Këshilli i Evropës publikoi një raport i cili përmban gjetje për cdo nen të Konventës së Stambollit dhe paraqet rekomandime dhe hapa konkretë për përafrim të mëtejshëm me Konventën e Stambollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat