​Gërvalla-Fellin diskutojnë mbi drejtësinë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Aktuale

​Gërvalla-Fellin diskutojnë mbi drejtësinë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Më: 13 mars 2024 Në ora: 21:06
Foto nga takimi

Gjatë vizitës së punës në selinë e NATO-s në Bruksel, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, u takua sot me Irene Fellin, përfaqësuese e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Në takim Gërvalla ndau me Fellin përvojën e Kosovës në forcimin e pozicionit të gruas në profesione të fushës së sigurisë dhe rolin e saj në përgjithësi. Po ashtu, u diskutua mbi drejtësinë për 20 mijë gra, fëmijë dhe burra, të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila u përdor si armë lufte kundër tyre.

Duke marrë në konsideratë faktin që autorët e dhunës seksuale si armë lufte ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk u ballafaquan asnjëherë me drejtësinë, ministrja Gërvalla vuri në pah nevojën e një angazhimi të bashkësisë ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë urgjencën dhe domosdoshmërinë e dënimit të autorëve të krimit nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të ardhur nga Serbia.

Me Fellin u diskutuan edhe fusha të tjera, në të cilat Kosova mund të kontribuojë konkretisht në paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë.

Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e institucioneve dhe shoqërisë civile për të kontribuar në Ukrainë me përvojën e mbledhur përgjatë viteve në trajtimin e nevojave të të mbijetuarve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat