Lajçi: Kosova përfiton nga zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit

Aktuale

Lajçi: Kosova përfiton nga zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit

Më: 13 mars 2024 Në ora: 18:39
Driton Lajçi

Qeveria e Kosovës ka vendosur të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dhënien e pronave prej 24 hektarëve Manastirit të Deçanit.

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike, Driton Lajçi, ka theksuar se nga ky vendim i Qeverisë përfiton edhe shteti i Kosovës.

Ai ka vlerësuar se fitues janë bashkësia ndërkombëtare, UNMIK-u dhe Kisha Ortodokse serbe, ndërsa Kosova gjithashtu fiton anëtarësimin në Këshillin e Evropës, duke e parë këtë si një hap të rëndësishëm për integrimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Ka fitues, sigurisht se ka, fitues është bashkësia ndërkombëtare, UNMIK-u dhe Kisha Ortodokse serbe, edhe Kosova fiton diçka meqenëse anëtarësohet në Këshill të Evropës, pasi ky ka qenë edhe kushti i vetëm që Kosova të anëtarësohet në Këshill”, ka deklaruar Lajçi.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Nezir Kraki, ka cilësuar vendimin si një hap të guximshëm.

Kraki ka shtuar se kjo çështje konsiderohej si e mbyllur dhe e fituar për Serbinë, ndërsa tani sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka arritur ta rikthejë këtë çështje, ta mbajë pak në anën e Kosovës dhe tash të lëshojë diçka që Kosova e kishte lëshuar me vite.

“Nuk e prisja që do të ndodhte kështu sot…Kurti nuk ka pasur hapësirë manovrimi për pronat e Manastirit. Kjo çështje është konsideruar si diçka e mbyllur, si diçka e fituar nga ana serbe le të themi kushtimisht. Zoti Kurti ka arritur megjithatë ta rikthejë këtë çështje ta mbajë pak si një lloj karroce në anën e Kosovës dhe tash lëshojë diçka që Kosova e kishte e lëshuar prej vitesh.

“Edhe tash u dok, u tha dhe u pranua si një vendim i guximshëm si një hap i rëndësishëm i Kosovës drejt asaj që të respektohet rendi Kushtetues dhe shumë mirë pra. Kur disa diplomatë evropian  kërkonin që një vendim i tillë i Kushtetues të respektohet, i thoshin të njëjtës Kosovë që në veri të mos i dërgonin institucionet e saj sepse aty nuk duhet të ketë rend Kushtetues deh tash jemi duke folur më të njëjtën gjuhë, rend kushtetues në Deçan sa i përket Manastirit atëherë rend kushtetues edhe në veri”, ka deklaruar tutje Kraki.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat