Osmani: Bashkëpunimi me ShBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova

Aktuale

Osmani: Bashkëpunimi me ShBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova

Më: 13 mars 2024 Në ora: 14:11
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova.

E para e vendit, pas takimit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se suksesi i dialogut me Serbinë varet nga qasja parimore dhe e barabartë e Bashkimit Evropian ndaj palëve. Krahas kësaj, Osmani theksoi se zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i Rregullores së BQK-së është i mundshëm vetëm në bashkëpunim me aleatë, derisa kërkoi nga Serbia t’i ekstradojë në Kosovë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë.

Osmani: Bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me ShBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve tona

“Bashkëpunimi me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë bosht i veprimeve tona. Puna jonë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës, si në përpjekjet tona të pa kompromis për të siguruar sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht sa i përket integrimit në institucionet euro-atlantike”, tha Osmani në një deklaratë të përbashkët me Escobar para mediave.

Kosova, sipas presidentes Osmani është e përkushtuar në procesin e dialogut, mirëpo shtoi se nevojitet qasje e balancuar nga ndërmjetësuesi që i tërë procesi të ketë sukses.

Ajo theksoi nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, në mënyrë që mos të ketë qasje selektive vetëm ndaj neneve të caktuara të saj.

Osmani: Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesve

“Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, proces në të cilin jemi thellësisht të përkushtuar kam potencuar përgjatë takimit se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe barabartë e ndërmjetësuesit, në këtë rast të BE-së ndaj palëve. Është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin e kaluar, veçanërisht Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Prandaj qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuara nuk do të ndihmojë pasi të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj edhe zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm. Në këtë drejtim angazhimi i ShBA-së mbetet kyç për një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë”, shtoi ajo.

Duke folur për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë, Osmani tha se zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i saj është i mundshëm në bashkëpunim me aleatë.

Osmani: Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i Rregullores së BQK-së është i mundshëm në bashkëpunim me aleatë

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregullore është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe mbështetjen e aleatëve tanë. Aleatët tanë janë pro zbatimit të Kushtetutës, siç e kanë thënë çdo herë dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm. Besoj se edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Osmani.

Në anën tjetër, Osmani kërkoi nga Serbia që t’i ekstradojë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë.

Osmani: Serbia duhet t’i ekstradojë të gjithë terroristët që ishin pjesë e sulmit në Banjskë

“Grupi terrorist dhe paramilitarë nga Serbia, i përfshirë në këtë sulm duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Për këtë akt agresioni dhe sulm terrorist duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet t’i ekstradojë të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti të agresioni kundër Republikës së Kosovës dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi ajo.

Osmani foli edhe për procesin e largimit të kryetarëve në katër komunat veriore, ku tha se ky proces po shkon sipas afateve të parapara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat