Sveçla: Vetëvendosja nuk ka vota për kryesuesin e LDK-së apo PDK-së

Aktuale

Sveçla: Vetëvendosja nuk ka vota për kryesuesin e LDK-së apo PDK-së

Më: 12 mars 2024 Në ora: 17:59
Gëzim Sveçla

Ani pse LVV-ja në Prishtinë ka ftuar seancë të jashtëzakonshme, nuk do të propozojnë asnjë anëtarë për kryesues.

Kështu tha Gëzim Sveçla nga LVV.

“Me qëllim të zhbllokimit të situatës së krijuar, për t’i lëvizur proceset përpara, ne si LVV edhe pse jemi grupi më i madh në kuvend, jemi deklaruar se nuk do të propozojmë ndonjë anëtarë nga radhët tona për kryesues”, u shpreh ai.

VV-ja në Prishtinë pret nga partitë e tjera të propozojnë kryesuesin e ri.

Por, Gëzim Sveçla tha se propozimet e LDK-së e të PDK-së, VV-ja nuk i voton.

“Në këtë drejtim, për të mirën e qytetit dhe mbarëvajtjes së punëve, jemi shumë konstruktiv dhe bashkëpunues për zgjedhjen e një kryesuesi të ri nga radhët e asamblistëve që janë pjesë e Kuvendit Komunal. Sigurisht, këtu përjashtohet mundësia që kandidati të vjen nga radhët e LDK-së sepse ata tashmë e kishin kryesuesin dhe tashmë u pa që kuvendi nuk funksionon me kryesues të LDK-se, ndërkohë që edhe PDK, pas daljes nga koalicioni, është deklaruar që lëshojnë rrugë. Pra për këto dy subjekte që kanë qeverisur bashkë deri me 8 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vota për kryesues”, ka thënë ai.

Ai në fund tha që janë të interesuar të lëvizin gjërat.

“Ne nuk e kemi fokusin te emrat e përveçëm, ne jemi të interesuar të lëvizin gjërat. Mbledhja është të enjten dhe çdo asamblist ose çdo grup i asamblistëve mund ta propozoj personin që mendon se mund ta ketë përkrahjen e së paku 26 asamblistëve dhe që i zotëron kapacitetet për ta kryer rolin e Kryesuesit të Kuvendit”, tha ai.

Ndryshe, është muaji i tretë që Komuna e Prishtinës nuk ka mbajtur një mbledhje të rregullt.

Sipas ligjit, Kuvendi i Komunës së Prishtinës konsiderohet jofunksional nëse nuk e zgjedh kryesuesin brenda 30 ditësh, por kjo vlen pas themelimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat