​Mbi 50 për qind e rekomandimeve të ZKA-së nuk u zbatuan nga ekzekutivi, kërkohet ndryshimi i ligjit

Aktuale

​Mbi 50 për qind e rekomandimeve të ZKA-së nuk u zbatuan nga ekzekutivi, kërkohet ndryshimi i ligjit

Më: 12 mars 2024 Në ora: 14:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Vetëm 49 për qind të rekomandimeve që janë dhënë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, janë zbatuar plotësisht, derisa 51 për qind të tjera kanë mbetur të pazbatuara nga ministri të ndryshme. Kështu ka bërë të ditur auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca e cila ishte e ftuar të raportojë për zbatimin e rekomandimeve nga organizatat buxhetore, në veçanti ato të dhëna nga Kuvendi gjatë vitit 2022/2023 në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Spanca ka thënë se sa i përket raporteve që kanë dërguar për sezonën 2022/23, kanë pranuar të gjitha planet e veprimit për organizatat buxhetore, për auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë, porse shton se 19 organizata buxhetore i kanë dërguar këto plane të veprimit me vonesë.

Gjatë raportimit në komision, Spaca tha se mangësitë të cilat po përsëriten janë cilësia e raportimit financiar, dobësitë me menaxhimin e kontratës sa i përket procedurave të prokurimit publik dhe poashtu shtoi se ka mangësi në menaxhimin e pasurisë.

Spanca: ZKA për sezonin 2022/2023 ka kryer gjithsej 123 auditime

“Zyra Kombëtare e Auditimit në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor në baza vjetore publikon raportet e audimit të performancës dhe për sezonën 2022/23 ka kryer gjithsej 123 auditime të cilat i takojnë 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 11 auditime të ndërmarrjeve publike, 9 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe donatorëve, 2 raporte të auditimit të pajtueshmërisë të cilat janë me informata të klasifikuara me nivel të kufizuar si dhe 15 auditime të performancës... Një gjendje pak me e rënduar është tek auditimet e performancës, ku jo të gjitha organizatat buxhetore të cilat i kanë dërguar raportet finale, kanë dërguar edhe planet e veprimit për zbatimet e rekomandimeve të auditimit”, tha Spanca.

Derisa ka shtuar se ata që prijnë me zbatimin e rekomandimeve të vitit 2021 kanë rezultuar të jenë ndërmarrjet publike, ku sipas saj kanë zbatuar 58 për qind të rekomandimeve të cilat i janë dhënë.

Mes tjerash, Spanca ka theksuar se meqenëse nuk kanë audituar pasqyrat financiare të KOST-it dhe të Trepçës, kanë larguar posten pasi sipas saj, kishte edhe numër të vogël të rekomandimeve dhe në vend të saj kanë vendosur në planin e auditimit KOSTT-in dhe Trepçën.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa derisa ka thënë se është duke u bërë një punë e mirë në institucionet gjegjëse ku menaxhohet paraja publike, është shprehur i shqetësuar që një pjesë e madhe e institucioneve nuk kanë pas plan të veprimit, ndërsa ka kërkuar nga auditorja të gjejë një zgjidhje për këtë.

Beqa: Është shqetësim kur thuhet se një pjesë e institucioneve nuk kanë pas plan të veprimi

“Është shqetësim kur thuhet se një pjesë e institucioneve nuk kanë pas plan të veprimit, është sfidë, çfarë duhet të bëjmë ne tani me ato të institucione që nuk bëjnë përmirësime... Ju jeni në vitin e tretë të aludimit, a keni ndonjë ide a duhet të bëhet ndonjë plotësim ndryshim i ligjit, se çfarë duhet të bëjmë me këtë 51 për qindëshin që nuk po i zbatojnë rekomandimet”, tha Beqa.

Sa i përket ndryshimi të ligjit, Spanca ka thënë se ka nevojë të ndryshohet dhe janë duke punuar në këtë drejtim, siç tha ajo, pas qershorit ligji do të jetë në këtë komision për shqyrtim.

I shqetësuar me moszbatimin e rekomandimeve është shprehur edhe deputeti tjetër nga PDK, Rashit Qalaj. Sipas tij, shumica absolute e tyre nuk janë zbatuar nga qeveria.

Qalaj: Brenga kryesore e imja është që shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë zbatuar nga qeveria

“Brenga kryesore e imja është që shumica absolute e këtyre rekomandimeve nuk janë zbatuar nga qeveria. Pra, nga 34 rekomandime që i kemi marrë dhe ato që kanë qenë për qeverinë, i kemi dy që i ka zbatuar, dhe i kemi pjesërisht të zbatuara tre rekomandime, e pasuar pastaj nga Ministria e Financave që ju mbikëqyrë edhe juve, e cila nuk ka zbatuar fare 9 prej rekomandimeve, që janë shumë”, tha Qalaj.

Ndërkaq, kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami ka kritikuar ministrin Liburn Aliu për mos prezencën e tij në mbledhje të komisioneve.

Ndërsa, ka thënë se është shqetësuese se si një operator ekonomik ka nënshkruar kontratë njëburimore 15 herë, për çfarë tha se edhe kjo çështje duhet të auditohet.

Bajrami: Ka tenderë me të njëjtin operator ekonomik, KEK-u ka nënshkruar 15 herë kontratë njëburimore

“Në bazë të dhënave që kam marrë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik del se në KEK në tre vitet e fundit janë shpenzuar 102 milion çka nënkupton dhe dëgjova dje në media, një ish anëtar të bordit të KEK-ut, i cili thoshte në kohën kur menaxher ka qenë Gjukaj, kontratat një burimore në KEK kanë qenë jo-ekzistente. Besoni ose jo, sipas të dhënave, ka tenderë me të njëjtin operator ekonomik, KEK-u ka nënshkruar 15 herë kontratë njëburimore. Duhet auditori të fokusohet këtu. Neve na duhet me pa pikërisht këtë, sepse edhe këto nuk janë në respektim të ligjit të prokurimit publik, d.m.th 240 milion euro janë shpenzuar në tre vitet e fundit përmes tenderëve njëburimor, andaj këto janë shqetësime... Ministrin Aliu e kemi ftuar në disa mbledhje radhazi për kontratat një burimore, raportin e performancës dhe nuk na ka ardhë. Vitin e kaluar kemi tentuar disa herë t’i vizitojmë disa ministri dhe asnjëherë ministrat nuk na kanë prit, dhe natyrisht kam refuzuar që të shkojë dhe të takohem me zyrtarë që nuk janë përgjegjës për këtë pikë”, tha Bajrami.

Ndërkaq, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku ka kundërshtuar deklaratën e deputetes Bajrami. Sipas saj opozita është duke munduar të nxjerr debate parlamentare prej hiçit, siç tha ajo, për fushatë elektorale. Ndërsa ka thënë se është skandaloze se si një auditor gjeneral shkon dhe bëhet nënkryetar komune.

Tishukaj-Sadiku: Po mundoheni me nxjerr vjam prej pleshti, por bash asgjë, kauza të lodhëta, që s’po keni ku mu kap

“Po mos të ishin votat e LVV-së, ai auditim nuk do të bëhej. Nuk ja paskan shkruar pyetjet, se s’di çfarë të flasë... Nëse një auditor gjeneral shkon dhe bëhet nënkryetar komune, është skandaloze, duhet ka kohë, po shihet sa ka qenë i pavarur... Nuk është e drejtë të flitet në këtë formë, sepse kam pa që pikërisht ju keni iniciuar debat parlamentar, e shumë çështje tjera që po mundoheni me nxjerr vjam prej pleshti, por bash asgjë, kauza të lodhëta, që s’po keni ku mu kap, por mirëkuptohet që jeni në fushatë elektorale”, tha Tishukaj-Sadiku.

Ndërkaq, për këtë, deputetja Bajarami ka thënë se 102 milion të KEK-ut me kontrata njëburimore do t’i nxjerrin në rezolutë në Kuvend dhe që sipas saj, janë rekomandime që duhet të auditohen.

Bajrami: Ato 102 milion të KEK-ut me kontrata njëburimore do t’i nxjerrim në rezolutë në Kuvend

“A je duke e dëgjuar veten çka je duke thënë. Pa votat e juaja kam thirr debat, janë disa gjëra që ju nuk mund t’i ndaloni... Për ato 102 milion të KEK-ut me kontrata njëburimore ne do të nxjerrim rezolutë në Kuvend, janë rekomandim që ato duhet të auditohen”, tha Bajrami.

Anën tjetër, deputeti tjetër nga partia në pushtet, Halil Thaçi i ka bërë thirrje prokurorit të shtetit që të marrë në pyetje deputeten Bajrami për deklaratat e bëra.

Thaqi: Unë i bëra thirrje prokurorit të shtetit që ty të intervistojë nëse ke informata të tilla

“Këto tregime që po i bënë këtu, urdhëro e drejtoju prokurorit të shtetit, ose po i bëjmë thirrje prokurorit të shtetit që të merr në pyetje ty, dhe t’i dëshmosh këto që po i deklaron këtu. Javën e kaluar the që ministri Aliu me telefon po i fton operatoret ekonomik për të marrë tenderë. Unë i bëra thirrje prokurorit të shtetit që ty të intervistojë nëse ke informata të tilla, sigurisht i bënë mirë edhe vendit e demokracisë”, tha Thaçi.

Për këtë, deputetja Bajrami ka insistuar që të hetohen të gjitha kontratat njëburimore të tilla.

Bajrami: Duhet të hetohen këto kontrata njëburimore

“Faleminderit shumë, besoj se të ka dëgjuar prokurori dhe unë jam në pritje të më thërras. Kontrata njëburimore e një operatori ekonomik ftohet, a ftohet me telefon, email apo përmes këshilltareve që ministri Aliu ka 27, nuk e di. Besoj shumë se edhe Zyra Kombëtare e Auditimit raporte të tilla dhe gjeturat e tilla prej atyre 57 lëndëve sa i ka dërguar vitin e kaluar në Prokurori, ka edhe çështje të tilla të tenderëve një burimor. Ju e dini Nagip Krasniqi është duke u hetuar pikërisht për tenderë të negociuar, sepse e ka anuluar tenderin në proces, i ka shpallë të gjitha palët të papërgjegjshme dhe në fund njërin e ka ftuar të negociojë”, tha Bajrami.

Në këtë komision poashtu është shqyrtuar propozim rekomandimeve, për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat