​A do të shkonin qytetarët në shërbim ushtarak nëse kërkohet me ligj?

Aktuale

​A do të shkonin qytetarët në shërbim ushtarak nëse kërkohet me ligj?

Më: 9 mars 2024 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak po rikthehet në disa vende, por në Kosovë ende nuk dihet se a do të kthehet. Qytetarët thonë se nëse ndodh një gjë e tillë në Kosovë, atëherë kjo do t’i gëzonte ata pa masë, pasi me vullnet të plotë do të dilnin në shërbim të atdheut.

Yll Miftari thotë për KosovaPress se pa marrë parasysh situatën, ai do t’i dilte në krah vendit tonë në të ardhmen nëse kthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Miftari: Pa marrë parasysh situatën gjithmonë duhet të dalësh në krah për vendin tënd

“Po, do të kisha shkuar. Pa marrë parasysh situata, gjithmonë duhet të dalësh në krah për vendin tënd edhe pak a shumë edhe për popullin tanë në qoftë se veç e ndjehen ata ndjejnë”, tha ai.

Edhe Elion Ademi u shpreh se patjetër do të kontribuonte që të ishte pjesëtar i ushtrisë pasi këtë e ka për obligim.

Ademi: Kontributi ndaj atdheut është obligim yni

“Po normalisht do të kisha shkuar, për të pasur një kontribut ndaj vendit e kemi obligim të gjithë traditë brez pas brezi,” tha ai.

Ndërsa Kushtrim Hasani tha se falë ushtarëve të UÇK-së e kemi fituar lirinë ne gëzojmë sot dhe se është nder i madh që të jesh pjesëtar i ushtrisë.

Hasani: Të jesh ushtar është nder i madh

“Aty më prek ku më dhemb më së shumti, ma ke prekur plagën e zemrës. Unë kam respekt shumë për veteranët e luftës, sepse falë tyre e kemi gëzuar lirinë. Kështu që ajo është nderi më i madh, bekimi më i madh që ta jep zoti nëse ti je pjesë e një pjese qoftë edhe e ushtrisë. Unë them një njeri në luftë qoftë nëse edhe një lutje që e ka bërë për ata persona që kanë marrë armën në dorë, ata persona duhet të shpërblehen, sepse edhe lutja e tyre ka qenë e mirë,” tha ai.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë vijon të mbetet një temë aktuale, sidomos pas tensioneve të vazhdueshme me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej vitesh, ka paralajmëruar se do ta jetësojë shërbimin e obligueshëm ushtarak në vend, por, deri më tash, nuk ka pasur ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar për prioritetet e saj për vitin 2024, si zhvillimin e burimeve njerëzore, logjistike, infrastrukturore, zgjerimin e infrastrukturës, ristrukturimin e ministrisë, investimi në sisteme moderne të armatimit, hartimi i strategjisë për zhvillimin e industrisë së Mbrojtjes së Kosovës, zhvillimi i kapaciteteve të mirëmbajtjes, zgjerimi i infrastrukturës dhe krijimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës nisi në dhjetor 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK-së, proces ky i cili pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare. Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së, 2025-2028, planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.

FSK ka rreth 2.500 pjesëtarë dhe pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat