Deputeti i PDK-së në Kuvend: Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim të madh

Aktuale

Deputeti i PDK-së në Kuvend: Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim të madh

Nga: Bota sot Më: 7 mars 2024 Në ora: 07:32 Përditësuar në ora: 17:01 më 07.03.2024
Kuvendi i Kosovës

​Besnik Boletini e Arta Berisha zgjidhen anëtarë të Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Besnik Boletini dhe Arta Berisha anëtarë të Bordit të Radiotelevizionin të Kosovës. Në votim morën pjesë vetëm deputetët e pushtetit, ku Boletini mori 54 vota, ndërkaq Berisha 51.

Kandidatët e tjerë në garë nuk morën votat e nevojshme për anëtarin e tretë të bordit, megjithatë u vendos që në seancën e radhës të organizohet raundi i dytë i votimit mes Albinot Hamitit dhe Albinot Malokut, pasi i pari mori 6 vota, kurse i dyti 5 vota.

Kandidatët që morën më pak vota ishin Besa Maxhuni dhe Driton Shaipi.

Në anën tjetër, për një anëtar të bordit nga komuniteti serb u vendos të ripërsëritet konkursi, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk mori votat e nevojshme.

Krahas kësaj, Kuvendi zgjodhi Visar Krasniqin, anëtar jo-prokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile.

Pas kësaj, legjislativi mbylli punimet e seancës së sotme plenare.

Kuvendi themelon komisionin hetimor në lidhje me punësimet në MPJD

Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor parlamentar lidhur me punësimet në shërbimin e jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Themelimin e këtij komisioni e mirëpriti edhe kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila tha se përmes tij do të dëshmohen parregullsitë e shumta ndër vite që kanë ndodhur në MPJD.

Sipas saj, ky komision nuk duhet ta përkufizojë punën vetëm në vitet 2021-2023, megjithëse theksoi se në shërbimin diplomatik ka bërë një reformë të thellë.

Ajo shtoi se të gjitha vendimet e marra sa i përket gradimeve kanë qenë të rregullta, siç tha janë dëshmuar edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

Gërvalla: Të shpërfaqën parregullsitë e shumta që kanë ndodhur ndër vite në MPJD

“E mirëpres shumë mundësinë dhe iniciativën për krijimin e një komisioni hetimor që do të merret me punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. E vetmja gjë që do të lusja Kuvendin është që në përkufizimin apo titullin e këtij komisioni të krijohet mundësia për të treguar apo demonstruar që nuk bëhet fjalë vetëm për vitet 2021-2023, por bëhet fjalë për të gjitha punësimet në kuadër të MPJ-së dhe asaj të diasporës. Përndryshe e vlerësoj shumë këtë mundësi për të njoftuar opinionin e gjerë në Kosovë që të gjitha thashethemet, të cilat ekzistojnë për të tashmen dhe të kaluarën për të gjitha faktet që do t’i shpërfaqim gjatë punimeve të këtij komisioni, do të arrijnë të krijojnë një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur përgjatë viteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si një prej institucioneve më të përfolura për parregullsitë e shumta që kanë ndodhur përgjatë viteve”, tha ajo.

Gërvalla përmendi ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, që sipas saj gjatë periudhës së tij nuk janë respektuar asnjë kriter i konkurseve, punësimit dhe se janë caktuar ambasadorët dhe konsujt në oda, kafe dhe që kanë qenë pjesë pazareve politike.

Madje theksoi se themelimi i këtij komisioni po bëhet si shkak i luftës së brendshme në PDK, për të diskredituar Hoxhajn.

Gërvalla: Në periudhën e ish-ministrit Hoxhaj nuk janë respektuar asnjë kriter i punësimit dhe konkurseve

“Me vete kam vendime të panumërta të mëparshme, në të cilat jo vetëm që nuk janë respektuar kriteret e konkurseve, por nuk është respektuar as edhe një kriter i punësimit bazuar në ligjet e Kosovës. Me të njëjtin vendim ish-ministri Enver Hoxhaj, edhe e emëron anëtar të shërbimit të jashtëm personin dhe ia cakton gradën konsull dhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Të mos flasim edhe për emërime që janë caktuar në oda, në kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Prandaj pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive vjen, kam përshtypjen që kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, siç është ish ministri Enver Hoxhaj, sesa që kanë të bëjnë me mua personalisht”, theksoi Gërvalla.

Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se mandati i këtij komisioni hetimor është në periudhën 2021-2023, ashtu siç ka qenë kërkesë në propozimin e parashtruar.

Deliu: Mandati i komisionit hetimor parlamentar në MPJD mbetet ashtu siç ka qenë kërkesë në fillim

“Vetëm për çështje procedurale, mandati i komisionit hetimor parlamentar në MPJD mbetet ashtu siç ka qenë kërkesë e propozuesit”, theksoi ajo.

Pro themelimit të këtij komisioni votuan 62 deputetë, dy ishin kundër dhe një abstenim.

Në anën tjetër, Kuvendi nuk pati kuorum për të themeluar komisionin tjetër hetimor, në lidhje mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, pasi nuk morën pjesë në votim deputetët e mazhorancës.

​Projektligji për fertilizim të asistuar, nuk ka kuorum për votimin e amendamentit

Për herë të dytë është hedhur në votim propozimi i amendamentit të deputetit Visar Korenica.

Vetëm 54 deputetë kanë marrë pjesë në votim, për çka Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kushte për të miratuar këtë amendament. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar për amendamentin e katërt të këtij projektligji.

Në rend dite ka qenë votimi në lexim të dytë të Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Pro amendamentit të katërt ka qenë Labinotë Demi Murtezi, por jo edhe deputeti Visar Korenica, i cili vetë ka propozuar këtë amendament.

Korenica: Ky ligj duhet të tërhiqet

“Ende po e mbështesim të njëjtin mendim për shkak të defekteve që ka, ky ligj duhet të tërhiqet. Prandaj është ky lloj dakordi për mos pjesëmarrje”, deklaroi ai. 

​Kuvendi miraton në parim projektligjin për KPK-në

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kjo nismë legjislative ka marrë përkrahjen e 61 deputetëve, asnjë votë nuk ishte kundër dhe asnjë abstenim.

Para fillimit të seancës plenare, Partia Socialdemokrate ka organizuar një aksion para Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

S’ka kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë sërish marrëveshjet ndërkombëtare.

Në mungesë kuorumi, të njëjtat janë shtyrë për një seancë të ardhshme.

Fillimisht të pranishëm ishin 80 deputetë, për votimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Fondit OPEC. Por, vetëm 76 deputetë kanë votuar për këtë marrëveshje ndërkombëtare, ndërkohë që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Ndërkaq, për 10 marrëveshjet tjera ndërkombëtare nuk ka pasur kuorum të nevojshëm që të hidhen në votim. 

Përjashtimi i Skenderajt nga Këshilli për shënimin e Epopesë? Përplasen Deliu-Kodra e Çeku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra deklaroi se qeveria ka përjashtuar Komunën e Skenderajt nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Sipas saj, një gjë e tillë është e pafalshme dhe hakmarrje ndaj një rajoni. Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku u shpreh se Komunës së Skenderajt i kanë dërguar kërkesa të shumta për përfshirje, megjithatë nuk kanë pranuar.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra shprehi shqetësimin për siç tha ajo, përjashtimin nga Këshilli Organizativ për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deliu-Kodra: Është e pafalshme që të përjashtohet Komuna e Skenderajt nga Këshilli Organizativ

“(Qeveria) Dëshmoi që më tepër është i interesuar për hakmarrje ndaj një rajoni se sa për të unifikuar e për përçuar mesazhin e solidaritetit e sakrificës të atyre që kanë rënë për këtë ditë të rëndësishme. Pra, është e pafalshme që janë përjashtuar Komuna e Skenderajt nga Këshilli Organizativ i udhëhequr nga qeveria dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Data si kjo e sotmja na përkujtojnë se sa e shtrenjtë dhe me cilin çmim është paguar liria në të cilën ne sot po jetojmë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se kanë kontaktuar Komunën e Skenderajt për të bashkëpunuar rreth aktiviteteve për shënimin e tri datave.

Çeku: E kemi kontaktuar Komunën e Skenderajt për të bashkëpunuar

“Në këshill kemi vendosur që tri data, pavarësisë, epopesë dhe çlirimit të ja shtojmë edhe 24 marsin, respektivisht nisjen e fushatës ajrore të NATO-s. Kalendari i aktiviteteve për shënimin e këtyre datave ka dhjetëra ngjarje që shtrihen për gjatë gjithë vitit nga shkurti deri në dhjetor dhe këto aktivitete realizohen në shumë komuna të Kosovës. Në vendimin për themelimin e këtij komisioni shtetëror parashihet edhe krijimi i grupeve të veçanta, të ftohen edhe anëtarë të komisioneve të tjera sipas nevojës. Për këtë qëllim e kemi kontaktuar edhe Komunën e Skenderajt për të bashkëpunuar rreth aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Komisioni e ka siguruar gjithë buxhetin e nevojshëm dhe e kemi ofruar gjithë gatishmërinë tonë për bashkëpunim në lidhje me aktivitetet e epopesë”, deklaroi ai.

Po ashtu, Çeku tha se Skenderaj nuk ka pranuar të përfshihet përkundër thirrjeve të shumta.

Çeku: Një ngjarje kaq e rëndësishme po keqpërdoret për sulme politike

“Kërkesa, email-e, thirrje, mesazhe të panumërta për një kohë të gjatë drejtuar zyrtarëve të Komunës së Skenderajt. Për fat të keq kërkesat dhe thirrjet tona kanë mbetur pa përgjigje. Megjithatë, aktivitetet që lidhen me epopenë po organizohen dhe do të organizohen deri në fund, përfshirë edhe natën e zjarreve dhe koncertin që mbahen sonte në sheshin e qytetit të Skenderajt. Nuk ka asnjë lloj përjashtimi, nuk ka asnjë lloj vullneti për ta larguar dikë, përkundrazi ne kemi pasur nevojë për ndihmën e komunës për të realizuar sa më mirë këto aktivitete. Por, ato do të bëhen edhe pa përfshirjen e Komunës së Skenderajt. Më duhet të shpreh keqardhjen time që një ngjarje kaq e rëndësishme për kombin tonë, të përdoret, të keqpërdoret për qëllime të sulmeve politike”, shtoi ministri i Kulturës.

Më pas ka reaguar deputetja Deliu-Kodra, e cila tha se për 26 vjet në shënimin e Epopesë së UÇK-së është përfshirë Komuna e Skenderajt. 

Deliu-Kodra: Është shqetësuese që Skenderaj u përjashtua nga Këshilli për organizimin e Epopesë së UÇK-së

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se është shqetësuese që Komuna e Skenderajt u përjashtua nga Këshilli organizativ për organizmin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Meqë jemi në kuadër të ditës së fundit të epopesë shpreh shqetësimin për këshillin organizativ, i cili edhe kësaj radhe dëshmoi që më tepër është i interesuar për hakmarrje ndaj një rajoni sesa për të unifikuar e për të përçuar mesazhin e solidaritetit e sakrificës së atyre që kanë rënë për këtë ditë të rëndësishme”, ka theksuar Deliu-Kodra, në deklarimet jashtë rendit të ditës.

Tutje ajo ka thënë se kjo është e pafalashme.

“Është e pafalshme që janë përjashtuar Komuna e Skenderajt nga Këshilli organizativ i udhëhequr nga Qeveria dhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Komuna e Skenderajt pati reaguar pas mospërfshirjes në organizimit e festimit e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me keqardhje njoftojmë qytetarët dhe opinionin publik se është hera e parë që Komuna e Skenderajt përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt, pra në territorin administrativ të komunës së Skenderajt. Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”, thuhej në reagimin e tyre para disa ditësh.

Abazi tallet në ditën e Mësuesit: Ora mësimit në Kuvend po fillon me 45 minuta vonesë

Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi është tallur në ditën e Mësuesit.

Shpeshherë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë kritikuar për vonesa në seanca.

Pas këtyre kritikave Abazi ka thënë se “Ora mësimit në Kuvend po fillon (ndoshta) me 45 minuta vonesë”.

Rikujtojmë se në rend dite sot është votimi i ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial; i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve; i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe IVF; ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare etj.

Dehari: Dita e Mësuesit të na mobilizojë të gjithëve për të ardhme me rezultate më të mira

Deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari shtroi disa kërkesa dhe mënyra se si Dita e Mësuesit të vjen në punë të ndërgjegjësimit në fushën e arsimit.

Ai tha se kjo ditë duhet t’i mobilizojë të gjithë, si mësuesit ashtu edhe institucionet.

“Dita e Mësuesit duhet të na ndërgjegjësoje të krijojmë kushte më të mira për fëmijët dhe të rinjtë tanë që nga arsimi parashkollor e deri te arsimi pasuniversitar”, tha Dehari.

“Kjo festë duhet të na mobilizojë të gjithëve, në radhë të parë mësimdhënësit dhe institucionet shtetërore për t’i përgatitur nxënësit me njohuri bashkëkohore që në testimin e PISA-s në të ardhmen të shënojnë rezuktate më të mira në lexim, matematik e në shkencë”.

“Dita e Mësues duhet t’i mobilizojë institucionet shtetërore që fëmijëve të mërgimtarëve tanë kudo që janë nëpër botë, t’ua organizojnë mësimin në gjuhën tonë amtare”.

“Të kërkojmë nga institucionet shtetërore se si mjekët betohet në tekstin e Hipokratit, t’i obligojnë mësueset e mësuesit tanë kur të diplomojnë të betohen në tekstin e betimit të mësuesit”.

Qalaj: Në listën e INTERPOL-it janë 3 policët që arrestuan zyrtarin rus të UNMIK që vendosi barrikada në Veri

Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës për të folur rreth rastit të tre policëve të Kosovës që janë futur në listën e INTERPOL-it me kërkesë të Rusisë.

Qalaj ka thënë se këta tre policë vetëm e kanë zbatuar ligjin e Kosovës, kur në Veri gjatë vitit 2019 kanë arrestuar një zyrtar të UNMIK-ut me kombësi ruse, i cili kishte bashkëpunuar me grupet kriminale në Veri të vendit.

Deputeti i PDK-së thotë se ky zyrtar kishte nxjerrë nga makina e tij një mjet për prerje të drunve dhe të njëjta dru ishin vendosur si barrikada në rrugën që çon për Zubin Potok.

“Morëm një lajm mjaft të keq, një shqetësim mjaft të madh, për futjen në listën e Interpolit të tre policëve të Kosovës, dhe atë vetëm se kanë zbatuar ligjet e vendit.Më 28 maj 2019 është zhvilluar një operacion policor kundër kontrabandës, krimit të organizuar, dhe përfshirjes së disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe disa qytetarëve serbë e shqiptarë në aktivitete ilegale.Hetimet ishin zhvilluar për një kohë të gjatë. Në fillim të operacionit u plagosën disa policë, u lënduan disa policë, u dëmtuan veturat e policisë së Kosovës, mirëpo Policia arriti të zhbllokoj të gjitha rrugët dhe arrestimin e një numri mjaft të madh të policëve dhe qytetarëve të invovluar në krim.Në ballë të këtyre forcave kriminale serbe dhe turmave serbe ka qenë një zyrtar I UNMIK nga Rusia dhe një zyrtar lokal i UNMIK-ut nga komuniteti serb.Ata kanë keqpërdorur imunitetin e misionit të OKB-së.Dhe për më keq, nga vetura e UNMIK-ut është nxjerr një pajisjes që ka shërbyer për prerje të drunjve që janë përdorur për barrikada në rrugën që shpie për Zubin Potok.Zyrtari rus ka refuzuar që të legjitimohet dhe ishte barrikaduar në veturë. Policët që sot janë në listën e INTERPOL-it kanë përdorur forcën e nevojshme, arsyeshme, domosdoshme dhe proporcionale për zbatim të ligjit”, ka thënë Qalaj në Kuvend.

Tutje ai ka treguar se i njëjti zyrtar rus ishte shpallur non-grata nga Qeveria e Kosovës kur drejtohej nga Ramush Haradinaj.

“Kanë identifikuar zyrtarin e UNMIK të kombësisë ruse. Më pas  arrestimit është dërguar në qendrën spitalore në Mitrovicës dhe është konstatuar që s’ka kurrfarë lëndimi dhe është shpallur non-grata nga Qeveria Haradinaj”, ka shtuar tutje Qalaj.

Duke treguar emrat e policëve që janë në listën e INTERPOL-it, ka kërkuar nga institucionet dhe aleatët që të bëhet e pamundura për t’i hequr ata nga kjo listë.

“Iu bëj thirrje MPB-së, Qeverisë dhe aleatëve që të bëjnë të pamundurën për t’I hequr nga lista e INTERPOL-it.

Majori Alban Jetullahu, kapiteni Besart Ahmeti dhe Faruk Gashi nga Njësia Speciale”, ka përfunduar Qalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat