Politikani serb: Vuçiq nuk do t’i zbatojë marrëveshjet

Aktuale

Politikani serb: Vuçiq nuk do t’i zbatojë marrëveshjet

Më: 6 mars 2024 Në ora: 20:43
Çedomir Stojkoviq

Takimet në kryeqendrën evropiane janë të rralla, po të shpeshta janë vizitat e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Prishtinë.

Por, sllovaku në vizitën e tij të fundit në kryeqytetin kosovar tha që po punon për një takim të ri në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.

Pavarësisht përpjekjeve nga unioni evropian, skeptik për të ardhmen e këtij procesi po shprehet njohësi i politikave evropiane, Alejandro Esteso Perez.

Sipas tij arsyeja pse nuk po ka rezultate konkrete në dialog ka të bëjë më faktin se BE nuk po i trajton palët si të barabarta.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’i bindur palët që ta vazhdojnë dialogun në Bruksel. Mund të them se lë për të dëshiruar mënyra se si po e ndërmjetëson BE-ja këtë proces. Në njërën anë e kemi palën më të dobët Kosovën e cila është sanksionuar për tensionet në veri edhe pse nuk ishte vetëm ajo përgjegjëse. Për më tepër, institucionet evropiane nuk kanë bërë mjaftueshëm që të kërkojnë nga Serbia investigim të plotë për ngjarjen tragjike në Banjska dhe që sulmuesit të sillen para institucioneve drejtësisë. Në njëfarë mënyrë Serbia po duket se po e kalon këtë periudhë pa ndonjë ndëshkim” , thotë Perez.

Ndërkaq, politikani serb, Çedomir Stojkoviq, shprehet i bindur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të bëjë asnjë hap përpara për zbatimin e marrëveshjeve.

Stojkoviq thotë se BE ka gabuar rëndë kur e ka lejuar Serbinë që të mos e nënshkruaj marrëveshjen e Ohrit.

“Nuk jam optimist për të ardhmen e procesit të dialogut derisa në pushtet në Serbi është Aleksandar Vuçiq. Ai para disa ditësh tha se në asnjë formë nuk do të dorëzohet para presioneve ndërkombëtare. Megjithatë këtu fajin e ka edhe Bashkimi Evropian, që e ka lejuar Serbinë ta pranoj marrëveshjen pa e nënshkruar atë. Përveç kësaj unë i kam edhe rezervat e mija për mënyrën se si e ka ndërmjetësuar këtë proces emisari special, Miroslav Lajçak. Ai ka dështuar të mbaj një rol neutral mes palëve dhe mos të harrojmë faktin që ai vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës” , thotë ai.

Sipas emisarit evropian, Miroslav Lajçak, Marrëveshja Bazë që u arrit në Bruksel shkurtin e kaluar, dhe më pas në mars në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e saj, është ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat