Policia deklarohet për 69-vjeçarin që vdiq pasi ra në lumin Morava, zbulon çka ka konstatuar mjeku

Aktuale

Policia deklarohet për 69-vjeçarin që vdiq pasi ra në lumin Morava, zbulon çka ka konstatuar mjeku

Më: 6 mars 2024 Në ora: 09:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një 69-vjeçar nga Ferizaj ka vdekur pasditen e së martës, pasi dyshohet se ka rënë në lumin Morava, në afërsi të pikës Kufitare “Dheu i Bardhë”.

Sipas policisë, viktima është nxjerrë pa shenja jete nga lumi, ndërkaq mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti nuk ka pasur plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla.

“PKK Dheu i Bardhë 05.03.2024 – 15:50. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë buzë lumit Morava ka rënë në lum. Viktima është nxjerrë pa shenja jete nga lumi. Sipas mjekut në trupin e viktimës nuk vërehet ndonjë plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla që dyshohet se janë shkaktuar gjatë bartjes nga uji”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion, ndërsa rasti është në hetime.

Ndryshe i ndjeri, bashkë me djalin dhe vajzën, ishte duke udhëtuar me makinë drejt pikës kufitare,  por ai është afruar drejt lumit ku dyshohet se ka rënë aksidentalisht.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Sipas informatave të para i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të PK ‘Dheu i bardhë’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë”, ka deklaruar Hashani.

Në rrjetet sociale, saktësisht Aktivistë të Peshkimit kanë publikuar në Facebook momentin kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit.

Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se videoja e publikuar është ajo e momentit kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit nga Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat