McKee: Dialogu Kosovë – Serbi është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike

Aktuale

McKee: Dialogu Kosovë – Serbi është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike

Më: 5 mars 2024 Në ora: 19:37
Erin E. McKee

Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, ka thënë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të veçanta”, përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur.

Në një konferencë për media me presidenten, Vjosa Osmani, McKee ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin ka thënë se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të veçanta, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë ajo.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, ka deklaruar McKee.

Ajo ka theksuar se USAID-i është i përkushtuar për të vazhduar punën me Kosovën në reformat e nevojshme për të minimizuar mundësitë për korrupsion, për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës e për të investuar në pajisjen e gjeneratës së ardhshme.

“Duke i dhënë përparësi nevojave të të gjithë qytetarëve dhe duke siguruar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur, ne kontribuojmë në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore të drejta dhe të paanshme, gjë që është kritike, sundimi i ligjit është jetik, jo vetëm për një demokraci në zhvillim, por për të ofruar siguri për investitorët, për qytetarët, për ata që e dinë se e ardhmja e tyre është këtu në Kosovë dhe jo gjetkë”, është shprehur McKee.

Ajo ka theksuar se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.

“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat. USAID-i është i përkushtuar në ndërtimin e aftësive të nevojshme për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t’u bërë lider në sektorin privat të Kosovës dhe për të çuar përpara potencialin për të zhbllokuar atë prosperitet që ne e dimë që Kosova duhet t’i ofrojë jo vetëm vetë Kosovës, por gjithë rajonit, dhe sinqerisht, mbarë Evropës”, ka deklaruar McKee.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat