Rrecaj: INTERPOL-i ende nuk e ka miratuar kërkesën e Rusisë për Policët e Kosovës

Aktuale

Rrecaj: INTERPOL-i ende nuk e ka miratuar kërkesën e Rusisë për Policët e Kosovës

Më: 4 mars 2024 Në ora: 18:50
Visar Rrecaj

Shteti rus ka kërkuar që tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës të futen në sistemin e kërkimit të Interpolit. Lidhur me këtë, ish-polici dhe avokati, Visar Rrecaj, ka thënë se INTERPOL-i ende nuk e ka miratuar këtë kërkesë.

Rrecaj konsideron se veprimi rus nuk ka të bëjë fare me çështje juridike, por, sipas tij, e njëjta është veprim puro politik.

“Në aspektin juridik nuk ka lidhje logjike ky veprim që ka ndodhur prej shtetit rus. Ende INTERPOL-i nuk e ka aprovuar kërkesën për t’i futur në letërrreshtim, por a mund të ketë pasoja juridike apo a prodhon efekte, po prodhon efekte juridike, nëse kërkesa ruse aprovohet nga INTERPOL-i, atëherë shtetet anëtare janë të obliguara që ta zbatojnë urdhrin për ndalim. Nëse Besarti ose dy kolegët e tjerë hasin në një shtet lojal ndaj Rusisë, atëherë ekstradimi mund të ndodhë shpejt. Është mirë që këto vende të shmangen. Konsideroj në aspektin juridik, se veprimi rus me këtë kërkesë nuk ka të bëjë asgjë me çështje juridike, veprimi është puro politik”, tha ai.

Në anën tjetër, ish-ushtaraku Afrim Veseli thotë se kjo kërkesë e Rusisë është një përgjigje e qartë për suksesin e Policisë së Kosovës që korri më 24 shtator në Banjskë.

Ai thekson se fletarresti për komandantin e NJSI-së është një hakmarrje e Serbisë nëpërmjet Rusisë.

“Kjo që e ka bërë Rusia është një mesazh i qartë, është një përgjigje për suksesin e djemve të policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë dhe si hakmarrje se INTERPOL-i shpalli fletarrest ndërkombëtar për Millan Radojçiqin… tani vëllai i madh – Rusia po e realizon atë detyrë. Është mesazh i qartë politik që Serbia është e rreshtuar edhe në këtë rast me Rusinë, ndërsa Kosova me shtetet perëndimore. Kjo paraqet edhe një nevojë të domosdoshme që Qeveria jonë të punojë më shumë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare sikur në INTERPOL. Të ketë një aktivitet të shtuar nga Qeveria e Kosovës. Besartit dhe Albanit, Rusia u ka bërë nder. Ata nuk e kanë atë brengë fare se cka thotë Rusia”, tha ai.

Ndryshe, sipas burimeve të TV Dukagjinit, në listën e Interpolit janë futur shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, “NjnSh-së”, Alban Jetullahu, shefi i ‘RSU’, Besart Ahmeti, si dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.

Siç thonë burimet, të njëjtit kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat