Kurti thotë se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb dhe ka një kërkesë për BE-në

Aktuale

Kurti thotë se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb dhe ka një kërkesë për BE-në

Më: 4 mars 2024 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 10:50 më 04.03.2024
Kryeministri Albin Kurti

Kurti: Kosovës duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetit të tij duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj “kërcënimeve të sigurisë”, që sipas tij, vijnë nga Serbia.

Gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Kurti tha se sa i përket Serbisë, që e cilësoi si “regjim autokratik”, duhet të përdoret qasja e njëjtë që Bashkimi Evropian dhe NATO kanë përdorur ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Ai tha se BE-ja dhe NATO-ja iu përgjigjën drejt pushtimit rus të Ukrainës duke pranuar në aleancë Finlandën dhe Suedinë dhe duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, “sponsorizoi terroristë dhe vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Këto deklarata të Kurtit janë referencë për tensionet e rritura në disa raste mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë ngritje barrikadash në veriun e Kosovës nga serbët lokalë për shkak të disa vendimeve të Qeverisë në Prishtinë, por edhe për një sulm të armatosur të një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës. Sulmi në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e kaluar la të vrarë një polic të Kosovës dhe gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova për sulmin në Banjskë, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë, por Serbia ka thënë se nuk ka gisht në të.

Gjatë konferencës, Kurti foli për integrimin evropian dhe atlantik të Kosovës dhe tha se ky rrugëtim nuk mund të bëhet pa mbështetjen e miqve të saj ndërkombëtarë, por as pa reforma të brendshme.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2023 dhe për në BE në fund të vitit 2022.

Megjithatë, në asnjërën prej këtyre proceseve integruese nuk është shënuar përparim dhe Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat.

“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit, duke frenuar të gjithë rajonin”, tha Kurti.

Kurti këto deklarata i bëri pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më herët akuzoi shtetet perëndimore se po intensifikojnë presionin ndaj Serbisë që të njohë de facto dhe de jure Kosovën, të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të ndryshojë qëndrimin ndaj Kinës.

Serbia, aleate e Rusisë, nuk i ka vendosur sanksione Moskës për shkak të luftës së nisur ndaj Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkaq, javë më parë Beogradi tha se mbështet politikën e Pekinit se ishulli vetëqeverisës i Tajvanit është pjesë e Kinës.

Sipas Vuçiqit, qëllimi përfundimtar i shteteve perëndimore është që në Serbi të vijë një “regjim kukull” e Perëndimit sepse sipas tij, “një Serbi e lirë dhe e pavarur nuk është e popullarizuar në Evropë.

Gjatë një adresimi televiziv, Vuçiq foli edhe për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Ai tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme, ka përkeqësuar situatën në Kosovë.

“Ne do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të veprojmë ose do të gjejmë zgjidhje alternative për t’i paguar para popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë samitit për Ukrainën në Tiranë, Shqipëri, 28 shkurt 2024.

Serbët në Kosovë që nga përfundimi i luftës së fundit kanë përdorur dinarin serb.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës të shtyjë vendimin, i cili është në fuqi që nga 1 shkurti, duke argumentuar se ai nuk merr për bazë ndikimet negative te komuniteti serb.

​Kurti: Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se po përpiqet të pengojë përparimin e rajonit në integrimin evropian.

Kurti në konferencën e organizuar Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës me temw “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, tha se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb, duke shtuar se rruga drejt integrimit euroatlantik nuk bëhet vetëm.

"Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, tha Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se roli i diplomacisë parlamentare është shumë i rëndësishëm për shtet-ndërtimin e Kosovës.

Kurti: Regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës

Kryeministri Albin Kurti në konferencën ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” teksa ka folur për diplomacinë në terma të përgjithshëm, ka përmendur autokracinë serbe ndaj Kosovës.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.

Superioritetin e një grupi ndaj tjetrit Kurti e ka quajtur steriotip të vjetër, teksa ka bërë thirrje për dialog dhe gjithpërfshirje.

 “Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, ka deklaruar Kurti.

Konjufca: Shtetet jodemokratike po afrohen shumë me njëra-tjetrën, po krijojnë alenca

Shtetet jodemokratike po afrohen shumë me njëra-tjetrën, po krijojnë alenca mes tyre, prandaj është e nevojshme që edhe shtetet demokratike të forcojnë raportet me njëra-tjetrën.

Kështu ka thënë Glauk Konjucfa gjatë fjalimit të tij në konferencën “Diplomacia Parlamentare për sigurinë rajonale dhe integrimin euro-atlantik”

Ai ka kërkuar që të mos neglizhohen konferencat që i mundësojnë takimet mes liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani nevojë për konferenca ku zhvillohen takime mes parlamenteve dhe përfaqësuesve të tyre përgjatë konferencave”.

--------

“Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, bënë bashkë sot në Prishtinë drejtues të institucioneve të Kosovës e të shteteve të rajonit, deputetë të vendit e të huaj, europarlamentarë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Konferenca organizohet nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me mbështetje të organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo Office (FES).

Agjenda e konferencës së Komisionit për Punë të Jashtme: Diplomacia Parlamentare për Bashkëpunimin Rajonal dhe Euro-Atlantik:

Fillimi i konferencës.

ORA: 09:00-09:30-

Folësit kryesorë:

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës,

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës,

Peter Hurrelbrink drejtori i FES-it

Sesioni 1: Zgjerimi i BE-së për Ballkanin Perëndimor: Koha për përparim është tani!

ORA 09:30 – 11:00 - Tema: Diskutimi i sfidave rajonale të sigurisë dhe strategjive bashkëpunuese të mbrojtjes në promovimin e stabilitetit dhe ndërtimit të paqes.

Folës:

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, Ditmir Bushati, Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Alejandro Esteso Perez, Analist politik i specializuar në Ballkanin Perëndimor, Fitore Pacolli deputete, Lukas Mandl anëtar i Parlamentit Evropian.

Pjesa 2: Lufta në fqinjësi: Diplomacia e Mbrojtjes

ORA 11:00-11:30

Tema: Diskutimi i sfidave rajonale të sigurisë dhe strategjive bashkëpunuese të mbrojtjes në promovimin e stabilitetit dhe ndërtimit të paqes

Folës:

Oleksyi Goncharenko, deputet i Parlamentit të Ukrainës, anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës – (video mesazh), Xhelal Sveçla ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, René Schlee Përfaqësues i Përhershëm i FES Dialogu për Evropën Juglindore,

Jeta Loshaj Konsulente për Sigurinë Ndërkombëtare, FES Kosova, Charles Kupchan profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm dhe Departamentit të Qeverisë në Universitetin Georgetown, Miodrag Vlahoviq ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi, Besnik Tahiri deputet i Kuvendit të Kosovës, Una Hajdari gazetare, Mimi Kodheli ish-ministre e Mbrojtjes/kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme në Shqipëri, Enver Hoxhaj ish-ministër i Jashtëm.

Pjesa 3: Shoqëria civile dhe media në formësimin e proceseve demokratike

ORA 14:30-16:00

Tema: Ekzaminimi i ndikimit të shoqërisë civile dhe medias në angazhimin dhe transparencën demokratike

Folës: Jeta Loshaj Konsulente për Siguri Ndërkombëtare,

FES Kosova Charles Kupchan Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm dhe Departamentit të Qeverisë në Universitetin Georgetown

Miodrag Vlahovic Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi,

Besnik Tahiri deputet i Kuvendit të Kosovës,

Una Hajdari, Gazetare.

Pjesa 4: Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik

ORA 16:00-17:00

Folës:

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu Hyseni Kryetare i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, Charles Kupchan profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm dhe Departamentit të Qeverisë në Universitetin Georgetown, Jeffrey Hovenier ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Thomas Szunyog shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Jorn Rohde ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat