Rigjykim i rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, Avokati: Niveli themelor ka rënë pre e presionit publik

Aktuale

Rigjykim i rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, Avokati: Niveli themelor ka rënë pre e presionit publik

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 18:45
Avokati, Ardian Bajraktari

Avokati, Ardian Bajraktari, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit që rasti i vrasjes së Marigona Osmanit, të kthehet në rigjykim, tha se kjo situatë shpërfaq nevojën për forcimin e mekanizmave të brendshëm, si brenda sistemit gjyqësor, ashtu edhe në atë prokurorial.

Se a mund të ketë mundësi të ndikimit në këtë vendim të Apelit, Bajraktari nuk u shpreh optimist, derisa theksoi që niveli themelor mund të ketë rënë pre e presionit publik në përshpejtim të rasteve të tilla.

“Kjo shpërfaq nevojën dhe domosdoshmërinë për forcimin e mekanizmave të brendshëm, brenda për brenda sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial. S’besoj që ka mund të ketë pasur ndikim në këtë vendim, me aq sa kemi parë, unë kam përshtypjen që niveli themelor mbase po bie pre e presionit publik në drejtim të shpejtimit të rasteve të tilla. E si rezultat i kësaj, mund të vije deri tek shkeljet në të cilat hasin gjatë rrugës. Mbi bazën e asaj që kemi parë, janë dy mundësi, e para që aspekti profesional lë për të dëshiruar shumë dhe e dyta, mund të jenë ngutur si rezultat për ta kryer punën sa më shpejtë. E në këtë drejtim, kur kombinohen këto dyja, atëherë vijmë në një situatë ku kemi aktgjykime të cilat janë evidentuar lëshime elementare”, deklaroi Bajraktari në emisionin “Ditari”.

Madje, avokati tha se edhe kur është marrë vendimi i shkallës së parë, ka vërejtur që ka shpërputhje jashtëzakonisht të madhe.

“Sa I përket rigjykimit, shpresoj që Gjykata e Apelit t’i ketë identifikuar sa më qartë lëshimet që janë bërë në rastin e gjykimit, kështu për të mos pasur nevojë të kthehen në pikën zero”, potencoi tutje Bajraktari.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat