Lekaj: Qeveria Kurti është dështim, koalicioni ‘AAK-Nisma’ do të jetë befasia e zgjedhjeve

Aktuale

Lekaj: Qeveria Kurti është dështim, koalicioni ‘AAK-Nisma’ do të jetë befasia e zgjedhjeve

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 11:59
Pal Lekaj

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur optimist për rezultatin e koalicionit ‘AAK-Nisma’ në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai ka bërë me dije se ky koalicion do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.

Në një intervistë për Nacionale, Lekaj ka thënë se koalicioni në fjalë mund të arrijë deri në 20 deputetë.

“Duke u bazuar në punën që kemi bërë, me opozitarizmin institucional në Kuvend, por edhe në tryezat që kemi organizuar dhe informimin e qytetarëve, mendoj se do të jemi befasia e mirë e zgjedhjeve. Nuk mund të flas se sa përqindje, por mendoj se Aleanca bashkë me Nismës dhe të tjerët do të jemi befasia e mirë në këto zgjedhje”, ka thënë Lekaj.

Nëse qytetarët vlerësojnë punën e AAK-së dhe mospunën e qeverisë, ka thënë Lekja, ky koalicion mund t`i marrë edhe 20 deputetë.

“Po. E kam thënë edhe unë këtë. Por, nëse gjykojmë realisht, nëse merret për bazë puna e jonë dhe nëse qytetarët e gjykojnë mos punën e qeverisë qaty jemi”, ka thënë Lekaj.

Ai ka mohuar mundësinë që koalicioni është realizuar nga frika se AAK-ja nuk mund të kalojë pragun zgjedhor.

“Dikush mund të bën pyetje a thua ju frikësua Aleanca pragut zgjedhor. Mund të them që jo, ata që janë shqetësuar për këtë çështje kanë qenë gabim. Aleanca është e qëndrueshme. Aleanca ka qenë e qëndrueshme edhe pa Nismën, dhe pa koalicione tjera që i kemi bërë dhe do të jetë e qëndrueshme si çdo herë”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së ka theksuar se nuk ju beson sondazheve që e nxjerrin VV-në bindshëm si parti të parë.

“Nuk ju besoj shumë sondazhe, sepse ato mund të porositen dhe numrat mund të lëvizin si të duash. Por nëse zbresin në bazë, në komuna, në fshatra, lagje dhe i pyesim qytetarët, me besoni se çdo i dyti qytetar është i pakënaqur me këtë qeveri”, është shprehur Lekaj.

Ndër të tjera, zyrtari i AAK-së ka drejtuar kritika të ashpra për Qeverinë Kurti.

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për t`u mbajtur në mend.

“S`ka investime të huaja, s`ka investime strategjike, s`ka investime në institucione arsimore. Ka premtuar 157 çerdhe dhe i ka ndërtuar vetëm 4. A është dështim total. Nëse e marrim shëndetësinë. Sot diku 70 për qind e pacientëve tanë ia mësyjnë Maqedonisë, Serbisë, Kroacisë e Turqisë”, është shprehur Lekaj.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti ua ka humbur qytetarëve shpresën se mund të bëhet mirë në këtë vend.

“Kjo qeveri ka qenë ndryshim për të keq, jo për të mirë. Në fund, fal kësaj qeverie kanë migruar 150 qytetarë të profileve të ndryshme, nga fushat e ndryshme. Kjo qeveri ua ka humbur shpresën qytetarëve se ky vend mund të ec përpara”, është shprehur Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat