Shtyhet rigjykimi për vrasjen e ndodhur në vitin 2001

Aktuale

Shtyhet rigjykimi për vrasjen e ndodhur në vitin 2001

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 10:53
Foto ilustrim

Në mungesë të të akuzuarit Fahri Kajtazi dhe mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar të mbahet rigjykimi në rastin ku Kajtazi, bashkë më Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi po akuzohen për vrasjen e ndodhur në vitin 2001.

Sipas gjykatësit të rastit Agim Kuçi, avokati Latifaj ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore gjendet jashtë shtetit dhe se për këtë rrethanë ka njoftuar gjykatën paraprakisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu në këtë seanca mungoi pa arsye edhe dëshmitarja Laura Nushi, ndaj të cilës gjykata do të lëshoj urdhëresë që njëjta në seancën e radhës të sillet me forcë nga policia.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të mbajtur më 22 shkurt 2023, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Për këtë çështje, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim më 1 dhjetor 2002, ku të akuzuarit Labeat Kastrati, Fahri Kajtazi dhe Milaim Cakaj i kishte shpallur fajtorë, ndërsa të akuzuarin Hamdi Mavriqi e kishte liruar nga akuza. Kastrati ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, Kajtazi ishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë, Cakaj për veprën penale të zotërimit, posedimit, kontrollimit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të armëve.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kastrati dhe Kajtazi ishin dënuar me nga 3 vite burgim (secili veç e veç), ndërsa i akuzuari Cakaj me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Kurse, të akuzuari Mavriqi e Kastrati, me aplikimin e dispozitës së nenit 350 të Ligjit të Procedurës Penale (LPP), janë liruar nga akuza për “Vrasje në tentativë”.

Në këtë rast, prokurori publik kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin. Po ashtu, ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtja e Kastratit, Kajtazit dhe Cakajt.

Ndërsa, më 26 nëntor 2009, Gjykata Supreme, kishte marrë vendim me të cilin ankesa e prokurorit që ka të bëjë me të akuzuarin Milaim Cakaj dhe ajo e mbrojtësve të tij të refuzohen si të pabazuara dhe në këtë pjesë, aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i datës 1 shtator 2002, vërtetohet.

Po ashtu, kishte miratuar ankesën e prokurorit publik të Qarkut në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve Labeat Kastrati dhe Fahri Kajtazi, me ç’rast kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 dhjetorit 2002, që ka të bëjë me të akuzuarit Labeat Kastrati, Hamdi Mavriqi dhe Fahri Kajtazi dhe kishte vendosur në këtë pjesë që lënda t’i kthehet së njëjtës gjykatë për rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve, ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.

Mirëpo, aktakuza thotë se të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat