Mbyllet procedura për paraqitjen e provave në çështjen Shala

Aktuale

Mbyllet procedura për paraqitjen e provave në çështjen Shala

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 16:18
Pjetër Shala

Trupi gjykues në çështjen ndaj Pjetër Shalës, ka mbyllur procedurën e paraqitjes së provave.

Kjo u bë e ditur në një njoftim të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

“Më 9 shkurt, trupi gjykues i mbylli procedurën e paraqitjes së provave në çështjen Pjetër Shala, urdhëroi palët që të parashtrojnë dosjet gjyqësore përfundimtare, së bashku me deklaratën lidhur me ndikimin e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse deri më 25 mars dhe caktoi datat për deklaratat përmbyllëse të mbahen prej 15 deri më 19 prill 2024”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat