Sot një seancë shtesë në rastin e krerëve të UÇK-së, a do t’i caktohen afate Prokurorisë?

Aktuale

Sot një seancë shtesë në rastin e krerëve të UÇK-së, a do t’i caktohen afate Prokurorisë?

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 11:28
Pamje nga gjykimi në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Hagës po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të 45-të, që është ish-eprori i UÇK-së, Hajrush Kurtaj.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë seanca e vetme në ditën e sotme.

Pas përfundimit të seancës së rregullt, pritet të mbahet një seancë ku do të diskutohen afatet, procedurat dhe detajet e tjera lidhur me dëshmitarët.

Kështu ka bërë të ditur vet Gjykata Speciale.

“Trupi Gjykues gjithashtu informoi palët për një seancë shtesë të nesërmen (21 shkurt), e cila do të mbahet pas përfundimit të seancës së rregullt. Sipas njoftimit të Trupit Gjykues sot, kjo seancë do t’i kushtohet caktimit të datave dhe planifikimit për këto procedura”, thuhet në njoftim.

Trupi gjykues në vazhdimësi i kishte bërë thirrje Prokurorisë që ta planifikojë kohën për dëshmitarë, pasi vendime të ndryshme mund të merren me kalimin e kohës.

Nuk dihet nëse në këtë seancë do t’i caktohet ndonjë afat Prokurorisë për rastin e saj, megjithatë pritet të diskutohet në tërësi për procedurat për të ardhmen.

Në anën tjetër, ditën e djeshme ka pasur një dëshmitar serb i cili edhe publikisht e pranoi se është punëtor i MUP-it serb.

“Në vitin 2013 keni thënë se keni punuar në MUP-in serb”, pyeti avokati i Jakup Krasniqit.

“Kështu, po”, ia ktheu serbi.

“Punon ende aty”, pyeti avokati.

“Po”, ia ktheu dëshmitari.

Dëshmitari, përveç për vete, gjithashtu e ka konfirmuar se ai dhe vëllai i tij ishin armatosur nga forcat serbe gjatë kohës së luftës.

“Të gjithë banorët e moshës madhore kishin marrë armë në mbrojtje të territorit të qytetit”, tha dëshmitari.

“Unë dhe vëllai ishim armatosur për të mbrojtur territorin e qytetit”, tha dëshmitari.

Sipas pretendimeve të dëshmitarit, familja e tij përfshirë nëna, babai, kunata, vëllai dhe nipi i porsalindur ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec.

Dëshmitari tha se kur nëna e tij e kishte parë Jakup Krasniqin në televizor në gusht-shtator të vitit 1998, kishte thënë se “ky është personi i cili na ka marrë të dhënat”, kurse avokati Ellis i tha dëshmitarit se nëna e tij asnjëherë nuk e kishte cekur Jakup Krasniqin në deklaratat e saj si personin që i kishte marrë të dhënat në vendin ku po mbaheshin.

Dëshmitari tha se nëna e tij i kishte thënë se Jakup Hoti i kishte “trajtuar mirë”, kurse Jakup Krasniqi kishte qenë personi i cili u kishte marrë emrin mbiemrin në ndërtesën ku ata po mbaheshin.

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis tha se ka një mospërputhje mes deklaratave të tij dhe deklaratave të nënës së tij.

“Nëna më ka thënë se Jakup Krasniqi i ka marrë shënim të dhënat, dhe është prezantuar, si quheni, emrin, mbiemrin. Më ka thënë nëna, nuk po e shpikë unë. S’ka asnjë mos-përputhje” tha dëshmitari sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat