Minatori tregon përjetimet e grevës 8-ditore më 1989

Aktuale

Minatori tregon përjetimet e grevës 8-ditore më 1989

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 19:19
Gani Osmani

Sot është 35-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës.

Me ç’rast, minatori, Gani Osmani, tregoi për disa nga përjetimet e grevës 8-ditore nga 20 deri më 28 shkurt të vitit 1989.

Teksa tha që përjetimi më i vështirë është futja në grevë urie, Osmani tregoi se si kishin frikë që qëllimshëm do t’ua ndalin energjinë elektrike, apo edhe të ketë prishje në ventilimin e ajrit.

Përjetimi më i vështirë është futja në grevë. Në ato ditë, më së shumti kemi pasur frikë që qëllimshëm të kemi ndalje të energjisë elektrike dhe prishje të ventilimi të ajrit. Në ato ditë kemi qenë të shpërndarë në të gjitha horizontet. Nga horizonti i parë, deri në horizontin e 9-të, aty kanë fjetur në tokë, në dërrasa,  kështu i kemi kaluar 8 ditë. Nga kushtet aty, ka qenë e mundur të marrim ndonjë epidemi. Kemi pasur raste që ndonjë minator më sëmundje të rëndë, s’ka pranuar të dalë nga greva, ka ndodhur që kemi pasur sëmundje e vdekje të familjarëve, përsëri s’kanë dalë”, deklaroi Osmani në emisionin “Ditari”.

Tutje, Osmani tha se nga ajo grevë 8-ditore, shumica e minatorëve i ndjejnë pasojat në shëndetin e tyre sot e kësaj dite.

“Në momentin që kemi dalë nga miniera, ne i kemi uruar njëri tjetrit fitoren. Mirëpo, policia menjëherë pas daljes, ka marrë 14 të akuzuar kinse si organizatorë të grevës. Pasojat e kësaj greve, në shëndetin e punëtorëve janë ndjerë më vonë, e madje ndihen edhe sot”, shtoi Osmani.

Ndërkaq, i pyetur se si është situata aktuale në Trepçë, Osmani tha se krahasuar me pakënaqësitë e mëhershme, tani është më mirë.

“Po, tani është më mirë. Ne kemi marrë premtime nga kryeministri, kemi mbajtur edhe takime. Mirëpo, duhet investim i madh në teknologji të re, në fuqinë punëtore të re, në mënyrë që Trepça të ecë përpara, e jo të marrë lëmoshë nga Qeveria”, potencoi Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat