Dëshmitari Kurtaj: Për pozitën e Agim Çekut në UÇK e kam kuptuar pas luftës

Aktuale

Dëshmitari Kurtaj: Për pozitën e Agim Çekut në UÇK e kam kuptuar pas luftës

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 17:05
Dëshmitari Kurtaj

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka vazhduar dëshminë dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ky dëshmitar dëshminë e tij e pati filluar me 1 shkurt.

Në fillim të pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit James Pace, dëshmitari Kurtaj është pyetur lidhur me caktimin e tij si komandat i brigadës.

Ai tha se pas rënjës (vdekjes) së komandantit të brigadës, ai si zëvendëskomandant vetvetiu e ka nënkuptuar që duhet të udhëheq brigadën dhe se këtë brigadë e ka udhëhequr nga 15 maji deri më 11 qershor 1999. Sipas dëshmitarit askush nuk i ka kërkuar apo emëruar komandat.

Ndërsa në pyetjen e prokurorit Pace se pse ZPS-së i kishte thënë se Agim Çeku e ka urdhëruar të bëheni komandat, dëshmitari tha se kjo deklaratë nuk i kujtohet.

“Pse në deklaratën tuaj keni thënë se me urdhër e Shtabit të Përgjithshme dhe shefit të saj kam vazhduar të jem komandant”, e pyeti dëshmitarin prokurori Pace.

Dëshmitari Kurtaj deklaroi: “Nuk me kujtohet kjo deklaratë”.

Në pyetjen se kur e ka ditur për pozitën e Agim Çekut në UÇK, dëshmitari tha se për pozitën e tij e ka kuptuar pas luftës.

Ndryshe, në fillim të dëshmisë së tij të filluar më 1 shkurt, dëshmitari pati deklaruar se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kyçur më 1 qershor 1998 dhe se ishte në njësitin e Kaçanikut. Në këtë njësit, dëshmitari tha se ishte deri në gusht të po të njëjtit vit.

Përfundon dëshminë dëshmitari i 46-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

(Përditësuar, ora 14:41)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i i 46-të i ZPS-së në me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ai është ballafaquar me dëshmitë e tij dhe të nënës së tij lidhur me pretendimin për pjesëmarrjen e Jakup Krasniqit në ish-stacionin e policisë në Malishevë dhe marrjen e nënës së tij në pyetje.

Pyetje për këtë dëshmitar nuk patën avokatët tjerë mbrojtës dhe nuk kishte kundër-pyetje nga ZPS. Por, disa pyetje i parashtroi gjyqtari Christoph Barthe.

Ndërsa, pas pauzës së drekës seanca do të vazhdojë me dëshminë e një dëshmitari tjetër.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, deklarata të ndryshme mes dëshmisë së dëshmitarit të 46-të me asaj të nënës së tij

Gjatë ballafaqimit të deklaratave të dëshmitarit të 46-të të dhëna në vitin 2013 me dëshminë e nënës së tij para Tribunalit Penal Ndërkombëtar, janë evidentuar deklarata të ndryshme mes dy dëshmive.

Mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis teksa e ballafaqoi dëshmitarin me dy deklaratat e lartpërmendura, e pyeti se a e pranon që nuk ka qenë dëshmitar i asaj që i ka ndodhur familjes se tij, e këtë gjë e pranoi.

“Dëshmitar, më parë e pranove që nuk ke qenë dëshmitar i asaj që i ka ndodhur familjes tuaj, por informatat i ke treguar nga ajo që ju ka treguar nëna juaj”, pyeti avokati Ellis.

Saktë, kështu është”, deklaroi dëshmitari.

Nëna e dëshmitarit në deklaratat e dhëna lidhur me mbajtjen në ish-stacionin e policisë së Malishevës dhe marrjen në pyetje, nuk e kishte përmendur Jakup Krasniqin.

Në anën tjetër, dëshmitari insiston se ai që e ka marrë në pyetje nënën e tij ishte Jakup Krasniqi.

Me tej, avokati Ellis i tha dëshmitarit që dallojnë deklaratat e tij të dhëna në vitin 2013, me deklaratat e dhëna nga nëna e tij për Tribunalin Penal Ndërkombëtar.

“T’i kthehemi deklaratës që nëna juaj ka dhënë për Tribunalin Penal Ndërkombëtar, është: ‘në mëngjes ne të treve na quan te një burrë që e kishte zyrën në katin e parë i veshur me tesha civile. Ai donte të na pyeste vetëm për të dhënat personale, pas pak ditësh një person i veshur me uniforma të zeza na tregoi emrin, ai tha që ishte Jakup Hoti’, është e qartë dëshmitar se nëna juaj identifikon personin në zyrë që ua mori emrin dhe mbiemrin që ishte Jakup Hoti. Kështu është?”, e pyeti dëshmitarin avokati Ellis.

Megjithatë, sipas dëshmitarit ai person që e pyeti nënën e tij për të dhënat personale nuk ishte Jakup Hoti por Jakup Krasniqi, edhe pse deklaratat sipas tij bazohen në atë çka i ka treguar nëna e tij.

“Jakup Hoti kishte të veshur një uniform të zezë, i cili e hapi dhe e mbylli derën e dhomës ku mbaheshin, pastaj këto të dhëna i mbajti shënim Jakup Krasniqi”, u përgjigj dëshmitari.

Pas kësaj, avokati Ellis edhe një herë ia rikujtoi dëshmitarit se deklaratat e tij dallojnë me ato të thëna nga nëna e tij.

“Nuk ka thënë kështu nëna juaj dhe unë po ju them edhe një herë që deklarata që ka dhënë nëna juaj ndryshon nga ajo që ju keni dhënë në vitin 2013”, tha Ellis.

Ndryshe, në bazë të asaj që ka thënë nëna e dëshmitarit, në korrik 1998, babai, vëllai, nëna, kunata dhe nipi i sapolindur i dëshmitarit, janë ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së në rrethinën e Rahovecit.

Babai dhe vëllai i dëshmitarit thuhet se u dërguan në makinë drejt Malishevës, ndërsa nëna, kunata dhe nipi i sapolindur u mbajtën në ish-stacionin e policisë së Malishevës rreth tetë ditë.

Dëshmitari thotë se drejtues të sulmit të ndodhur më 1998 në Rahovec, ishin Ismet Tara dhe Sabahudin Cena

Dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se drejtues të sulmit të ndodhur në vitin 1998 në Rahovec, ishin Ismet Tara dhe Sabahudin Cena.

Sipas mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis në një deklaratë të dhënë në vitin 2013 nga dëshmitari 46-të kur ka folur për këtë sulm, ka thënë se Ismet Tara dhe Sabahudin Cena e kanë drejtuar këtë sulm, këtë e konfirmoi sërish dëshmitari.

Sipas tij, deklaratën e ka mbështetur në atë se të gjithë shqiptarët deklaronin se Ismet Tara ishte komandat kryesor.

Ndërsa i pyetur lidhur me armatimin e popullatës civile serbe, dëshmitari ka thënë se të gjithë banoret e moshës madhore kishin marrë armë.

“Te gjithë banorët e moshës madhore kishin marrë armë në mbrojtje të territorit të qytetit”, tha dëshmitari.

Kurse, i pyetur se a është armatosur edhe familja e tij, dëshmitari tha se ai dhe vëllai i tij po.

“Unë dhe vëllai ishim armatosur për të mbrojtur territorin e qytetit”, tha dëshmitari.

Avokati Ellis e pyeti dëshmitarin nëse në një deklaratë të dhënë në vitin 2013, ka deklaruar se të gjithë shqiptarët ishin UÇK, ai tha se qëndron pas kësaj deklarate.

Sipas avokatit, dëshmitari kishte deklaruar se nëse nuk ishin të përfshirë aktivisht, ju ndihmonin financiarisht, ose në mënyra të tjera UÇK-së.

Sipas avokatit Ellis ajo çka ka deklaruar dëshmitari për udhëheqësit e UÇK–së në Rahovec, është e mbështetur në thashetheme apo përmes deklaratave që ka dëgjuar nga të tjerët.

Këtë deklaratë, e konfirmoi edhe vetë dëshmitari. Sipas tij, për strukturën e UÇK-së në Rahovec kishte marrë informata nga shokët shqiptarë.

Dëshmitari tha se Sabahudin Cena ka qenë udhëheqës politik sepse mbante takime edhe shfaqej në gazeta dhe se kumtesat e tij politike dilnin në gazeta.

Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, punëtor i Ministrisë së Brendshme të Serbisë

Dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W00498, ka thënë se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori Niko Barling, dëshmitarin ka filluar ta marrë në pyetje avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe merret me emigrantë.

Ndërsa, kur u pyet se a është këshilluar nga punëdhënësi i tij lidhur me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë procesit të dëshmisë, kjo gjë u mohua nga dëshmitari.

“Jo, punëdhënësi im nuk e dinë fare që unë sot jam këtu”, tha ai.

Dëshmitari i 46-të i ZPS-së fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e mbajtur më 1 shkurt 2024, dëshminë e filloi dëshmitari i 45-të i ZPS-së, Hajrush Kurtaj, i cili pritej që ta vazhdojë edhe sot dëshminë, por dëshminë po e filloi dëshmitari i 46-të, i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe identiteti i tij nuk u bë i ditur.

Sipas përmbledhjes që ZPS-ja lexoi në sallën e gjyqit, ky dëshmitar do të dëshmojë për rrëmbimin e anëtarëve të familjes në zonën e Rahovecit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim ky dëshmitar në pyetje është marrë nga prokurori Niko Barling, ku tha se edhe pse kishin shpresë që babai dhe vëllai i tij mund të ishin gjallë, ata u gjetën të vdekur.

“Më 2007 na thanë se e gjetën ADN-në e vëllait dhe babës tim. Në qershor shkova i mora eshtrat e tyre”, tha dëshmitari.

Këtë seancë, përmes video-lidhjes është duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.

Para dëshmisë së këtij dëshmitari, trupi gjykues lëshoi një urdhër gojor, duke urdhëruar Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të mbrojtjes së Thaçit deri më 11 mars.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat