Rugova: Vendimi për dinarin nuk është dashur të merrej pa koordinim me SHBA-në

Aktuale

Rugova: Vendimi për dinarin nuk është dashur të merrej pa koordinim me SHBA-në

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 23:57
Naser Rugova

Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka komentuar raportet e Qeverisë Kurti me aleatët ndërkombëtarë duke thënë se është duke u dëmtuar imazhi i Kosovës si shtet.

Por që Rugova tha se nuk do të besojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dëmtojnë raportet e mira me Kosovën.

“Duhet të jemi tejet të kujdesshëm në fazën e fundit të shtetndërtimit. Unë nuk dua të besoj që SHBA do t’i dëmtojë raportet, marrëdhëniet e mira me Kosovën. Por kondiseroj që udhëheqësit e shtetit të Kosovës duhet të jenë tejet të kujdesshëm dhe të mendojnë për veprimet dhe masat, qoftë në procesin e dialogut me Serbinë do të ndërmarrin dhe të koordinohen ngushtë me SHBA-në, pa dashur ta ulë rolin dhe ndihmën e vendeve anëtare të QUINT-it”, tha Rugova.

E sa i përket vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit, ai tha se një vendim i tillë nuk është dashur të merrej pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë pasi sipas tij, ky vendim ka ndikim te një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit duke iu referuar qytetarëve serbë.

“Në radhë të parë ky vendim nuk është dashur të merret pa koordinim me SHBA-në. Ka ndodhur marrja e këtij vendimi që në fakt është konform legjislacionit aktual të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës, dhe unë këtu se mbështesë vendimin legjitim të Bankës Qendrore të Kosovës. Megjithatë para vendimeve të tilla që kanë ndikim te një pjesë e qytetarëve të Kosovës, duhet të koordinohen dhe bashkarisht të ecim tutje”, shtoi ai.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur drojë se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të BQK-së.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë një mënyrë për të zgjidhur çështjen e rregullores së BQK-së, si dhe ka kërkuar një lloj gjykimi për të.

Rregullorja e BQK-së thotë se euroja është e vetmja valutë zyrtare në vend, dhe që ndalon dinarin serb, me të cilin komuniteti serb në veri ka marrë mjete nga Serbia.

Madje Hovenier ka thënë se kjo situatë ka prekur marrrëdhëniet dhe çdo deklarim nga eksponentë qeveritarë se çdo gjë është në rregull, nuk është e vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat