Rregullorja e BQK-së, Osmani inkurajon të institucionet për bashkëpunim me aleatët

Aktuale

Rregullorja e BQK-së, Osmani inkurajon të institucionet për bashkëpunim me aleatët

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka inkurajuar të gjitha institucionet në vend për bashkëpunim me aleatët qoftë edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, e parasheh që valutë e vetme e pagesave në Kosovë të jetë euro.

Ajo theksoi se janë duke vazhduar diskutimet për një plan tranzicioni sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.

E pyetur nga KosovaPress kritikat e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier sa i përket rregullores së BQK-së, Osmani tha se aleatët nuk po kërkojnë që të mbahet dinari, porse të bëhet një plan zbatimi për çfarë kërkoi nga institucionet të bashkëpunojnë sa më shumë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani: ShBA-të nuk po kërkojnë që ne ta mbajmë dinarin por po diskutojmë për një plan tranzicioni

“Çështja nuk është tek dinari, ShBA-të dhe as aleatët tanë të tjerë nuk po kërkojnë që ne ta mbajmë dinarin, dhe nuk do duhej të krijohej një përshtypje që dikush po kërkon prej nesh që mos ta respektojmë Kushtetutën tonë, sepse nuk është e vërtetë. Pra, kemi një mirëkuptim të plotë, dhe qëllim të përbashkët me aleatët tanë, në veçanti me ShBA-të që Kushtetuta jonë të respektohet në plotni, e tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së. Pra që s’ka të bëjë me punën e BQK-së. Rregullorja mbetet ajo që është, askush nuk po kërkon që rregullorja të ndryshojë e cila bien në domenin e BQK-së, por institucionet që e zbatojnë atë, institucionet ligj zbatuese sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë plan të zbatimit. Edhe në këtë rast janë ende duke vazhduar diskutimet, secili do të jetë një plan tranzicionin i zbatimit i cili do t’i merr parasysh shqetësimet e të gjithëve”, tha Osmani.

Para gazetarëve, Osmani tha se si presidente e vendit vazhdimisht ka inkurajuar të gjitha institucionet që bashkëpunimin me aleatët të kenë në maksimum.

Osmani: Si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum

“Sikurse edhe çdoherë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugë të gabuar. Kështu, si presidente e vendit vazhdimisht inkurajoj të gjitha institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani. Jam e bindur që jemi në rrugë të drejtë që shumë shpejtë ky plan tranzicioni të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektiv në tërësi, por bashkë edhe me aleatët tanë në zbatimin e plotë të Kushtetutës sonë në çdo cep të vendit”, shtoi Osmani.

Këto komente, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i bëri në shënimin e Ditës së Presidentit amerikan, Bill Clinton. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat