Alarmi i Maqedoncit për 48 bazat ushtarake armike në kufi, ekspertët e sigurisë: Serbia me to dëshiron përfitime në dialog

Aktuale

Alarmi i Maqedoncit për 48 bazat ushtarake armike në kufi, ekspertët e sigurisë: Serbia me to dëshiron përfitime në dialog

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 21:00
Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes

Rreth kufirit me Kosovën, Serbia vazhdon t’i mbajë 48 baza ushtarake me kapacitet për sulm. Distanca e tyre nga kufiri shkon nga 300 metra e deri në 5 kilometra.

Ky nuk është lajmi i vetëm shqetësues sipas Ministrit të Mbrojtjes.

Maqedonci, në një intervistë për The Goepost tha se 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe të drejtuara armiqësisht kundër territorit tonë.

“E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tone…”, ka thënë Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.

Serbia viteve të fundit ka shpenzuar qindra miliona dollarë duke blerë armatim sulmues nga shtete të ndryshme. Shumica e këtij armatimi sipas ministrit të Mbrojtjes është vendosur jo fort larg kufirit të Kosovës.

“Pra, shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës. Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, ka theksuar Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.

Serbia sipas Maqedoncit Kosovën e lufton në çdo mënyrë, përfshirë edhe propagandën përmes informacionit.

Njohësit e fushës së sigurisë mendojnë se aktivitet ushtarake rreth kufirit dhe propaganda ndërlidhet me zhvillimet politike dhe procesin e dialogut.

“Me këtë gjest, me këtë veprim Serbia po i bën trysni edhe bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi i kësaj është që veriu i Kosovës të zgjidhet ashtu siç po dëshiron Serbia, pra te katër komunat veriore të krijohet “zajednica” ashtu siç po e kërkojnë serbët. I gjithë ky veprim është dukë u bërë pikërisht për formimin e Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Avni Islami, njohës i fushës së sigurisë.

Ministri Maqedonci po ashtu ka theksuar se partneriteti për paqe nuk është hap i kërkuar dhe i domosdoshëm për tu pranuar në NATO, por është një hap i ndarë nga anëtarësimi në NATO, duke theksuar se vendi ynë është duke ndërtuar kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat