​Qytetarë të shumtë festojnë 16-vjetorin e Pavarësisë, i gëzohen arritjeve të vendit

Aktuale

​Qytetarë të shumtë festojnë 16-vjetorin e Pavarësisë, i gëzohen arritjeve të vendit

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 18:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Mijëra qytetarë kanë dalë ta festojnë 16-vjetorin e Kosovës si shtet në sheshet e Prishtinës, e të cilët shprehen shumë të lumtur me përparimin e Kosovës gjatë këtyre viteve.

Qytetari Selatin Fazliu i lutet Zotit që Kosova të presë edhe shumë përvjetorë të tjerë, teksa uroi që Kosova e Shqipëria të bashkohen.

Fazliu: I lutemi Zotit që ta kemi bashkimin kombëtar

“Me të tregu duhet shumë gjëra, më mbarë e më mirë nuk ka më, por i lutemi Zotit sot e shumë vite e kemi këtë pavarësi edhe e kemi bashkimin kombëtar. Pa u bashkuar trojet shqiptare, ata janë gjysmë Shqipëri e ne gjysmë Kosovë, kur të bashkohemi të gjithë të gjitha trojet shqiptarë atëherë jemi shtet”.

Atmosferës festive iu bashkuan edhe grupmoshat e vogla. Ndër to ishte edhe 12-vjeçarja Lura Hashani, e cila tha se ndihet krenare që vendi ynë është shpallur vend sovran dhe demokratik.

Hashani: Po ndihem krenare që ky vend është shpallur si një vend sovran dhe demokratik në vitin 2008

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët dhe unë po kaloj shumë mirë si çdo shqiptar në këtë vend. Jam 12-vjeçare, po ndihem krenare që ky vend është shpallur si një vend sovran dhe demokratik në vitin 2008”.

E kryeqytetit nuk i mungojnë as mërgimtarët që kanë ardhur në vendlindje për ditëlindjen e Kosovës. Mërgimtari Haxhi Haxhija, cili ishte i pranishëm edhe kur u shpall Pavarësia e Kosovës 16 vite më parë, ka ardhur nga Suedia edhe kësaj here.

Ai tha se më 17 shkurt të vitit 2008 ka qenë mot i ftohtë, por që sipas tij, sot koha është e mirë për të festuar.

Haxhija: Edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë ndryshime të mira në çdo aspekt

Po kalojmë mjaft bukur, kemi ardhur nga Suedia me këtë shokun nga Kërçova, për ta festuar Pavarësinë këtu në Kosovë. Ne kemi qenë kur është shpallë pavarësia këtu. Kemi ardhur nga Suedia dhe e kemi festuar edhe nuk ishim të sigurt, por faktikisht ndodhi ajo mrekulli dhe ajo ka qenë dita më madhështore e jetës tonë dhe nga ajo ditë çdo vit vijmë ta festojmë. Para 16 vite ka qenë -16 gradë ftohtë sot po shihet dielli dhe ngrohtë. Edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë ndryshime të mira në çdo aspekt”, tha ai.

E qytetari Shefi Galiu nga Kërçova i cili gjithashtu jeton në Suedi tha se është kënaqësi dhe ngrohtësi që ndodhet në Kosovë për këtë ditë të veçantë.

Galiu: Vijmë në Kosovë që nga viti 2008

“Jam nga Kërcova jetoj në Suedi, vijmë që nga viti 2008, që nga shpallja e Pavarësisë .Gëzohemi dhe vijmë çdo vit dhe e festojmë me kënaqësi dhe ngrohtësi me të gjithë miqtë të luftës të paqes dhe sot ndjejmë shumë kënaqësi në Kosovë”, tha ai.

Në këtë ditë të festive nuk mungoi as malli qytetarëve për udhëheqësit e luftës çlirimtare.

Qytetari Xhemajl Duraku përmendi mungesën e ish krerëve të UÇK-së, për të cilët tha se duhet të ishin në Kosovë.

Duraku: Çlirimtarët i mungojnë vendit

Po ndihem shumë mirë, por e ndjej mungesën shumë të madhe sepse këto rrugë, këto sheshe para këtyre njerëzve është deshtë më qenë ata çlirimtaret, ata na mungojnë dhe i përshëndes nga këtu”, tha ai.

Kujtojmë se sot gjatë ditës pati aktivitete të shumta në nder të 16-vjetorit të Pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat